Lionel Messi fiton ‘Këpucën e Artë’, mposht Mbappe!

Sport

Lionel Messi do të jetë një ndër pretendentët kryesorë për ‘Topin e Artë’ të këtij sezoni dhe për këtë mjafton të shohësh statistikat e tij. Ylli i Barcelonës arriti të rrëmbejë ‘Këpucën e Artë’ në Europë për herë të gjashtë në karrierën e tij, duke mposhtur në këtë garë talentin e PSG, Kylian Mbappe. Messi u ndal në 36 gola në ‘La Liga’ dhe me kampionatin spanjoll që vlerësohet me koefiçentin 2, atëherë kapiteni i katalansve llogarit 72 pikë. Ndërsa Mbappe shënoi në ‘Ligue 1’ këtë sezon 33 gola, që përkthehet në 66 pikë.

Vlen të theksohet se në 36 ndeshje që numri 10 ka luajtur në kampionat, ka qenë si titullar në 29 prej tyre. Messi regjistron kështu një mesatare të frikshme sa i përket ndeshjeve të kampionatit, ku ia del të realizojë çdo 75 minuta. Messi kaloi për herë të gjashtë në karrierë kuotën e 50 golave në sezon, më statistikat e përgjithshme që e shohin dominues ndaj të tjerëve. 50 ndeshje, 51 gola dhe 22 asiste janë shifrat e Messit për sezonin 2018-2019, ku llogariten këtu paraqitjet e bëra në ‘La Liga’, ‘Champions League’, ‘Copa del Rey’ dhe ‘SuperKupën’ e Spanjës.