Lionel Messi “eklipson” futbollin, fiton tjetër çmim nga FIFA

Sport

Lionel Messi “eklipson” futbollin. Ylli i PSG është kurorëzuar si lojtari më i mirë i vitit 2022 nga FIFA. 7 herë fituesi i Topit të Artë e udhëhoqi Argjentinën drejt një suksesi të jashtëzakonshëm, duke fituar Kupën e Botës në Katar. 35 vjeçari arriti të shënonte 7 gola dhe të jepte 3 asist në finalet e Katarit. Ai vendosi gjithashtu edhe një rekord historik, duke u bërë lojtari i parë që shënon në çdo fazë me eliminim të kompeticionit. Jo vetëm kaq, Messi është lojtari i parë në histori që shënon në Botëror përpara moshës 20 vjeçare, gjatë të 20-tave dhe pas të 30-tave.

Në turneun e Lindjes së Mesme, Messi u shpall gjithashtu edhe lojtari më i mirë i Botërorit, duke u bërë futbollisti i parë në histori që e fiton dy herë këtë titull individual. Për herë të parë, diçka të tillë e bëri në 2014-tën.

Në Botërorin e tij të 5-të të karrierës, mëngjarashi arriti që më në fund të fitonte titullin më të lakmueshëm të futbollit, duke kompletuar kësisoj edhe kabinetin e tij të jashtëzakonshëm të trofeve të fituar përgjatë karrierës.

Çmimi si më i miri i vitit 2022 nga FIFA, ishte i dyti në karrierën e Messit, duke u barazuar në këtë mënyrë me Cristiano Ronaldon dhe Robert Leëandoëskin.

Pas këtij suksesi të gjithanshëm, për Messin nuk ka mbaruar ende. Pas triumfit në Botëror, argjentinasi konsiderohet si lojtari më i avantazhuar për të fituar Topin e Artë 2023, që do të ishte i 8-ti në karrierën e tij të papërsëritshme.