Lionel Messi do të largohet nga PSG në fund të sezonit, tifozët në protestë

Sport

Lionel Messi do të largohet nga PSG në fund të sezonit. Ky është lajmi që ka pushtuar të gjitha mediat sportive, me kampionin e botës që tashmë duket se e ka vendosur përfundimisht të ardhmen e tij. Ndonëse nuk mund ta ketë përcaktuar ende se ku do të luajë, e sigurt është që 7 herë fituesi i Topit të Artë nuk do të zbresë më në Parc des Princes.

Vizita e tij e fundit në Arabinë Saudite, pa lejen e klubit, ka nxjerrë në pah disa të vërteta të pathëna më parë. Fluturimi i papritur i Messit drejt Lindjes së Mesme, shërbeu për të thyer përfundimisht marrëdhënin e tij me klubin parizien.

Vendimin për t’u larguar nga Parku i Princave, Messi e ka marrë një muaj më parë, teksa në mbyllje të këtij edicioni futbollistik nuk do të jetë më pjesë e gjigantëve të Ligue 1, por do të largohet me parametra zero. Ikja me pushime e Messit në Arabi, atje ku është edhe ambassador i turizmit, ka irrituar tej mase edhe tifozët e Parisit, të cilët një veprim të tillë e kanë konsideruar të patolerueshëm, e për këtë arsye janë ngritur në protestë duke kërkuar largimin e bordit drejtues dhe duke kërkuar gjithashtu edhe largimin e disa lojtarëve të mbivlerësuar në ekip, sikurse janë Messi, apo edhe Neymar.

Klubi ka marrë masa ndaj Messit, duke e pezulluar në dy ndeshjet e ardhshme në kampionat. Madje, argjentinasi nuk do të ketë mundësi që të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit. Gjithësesi, nëse do të zbresë më në fushë këtë sezon, është mëse e mundshme, që Messi të fërshëllehet nga tifozët e skuadrës, diçka që ka ndodhur edhe disa kohë më parë.