Lionel Messi: Do të doja një ndeshje lamtumire me Barcelonën

Sport

Lionel Messi kerkon nje ndeshje lamtumire me Barcelonen. I larguar më tepër se dy vite më parë nga Camp Nou, pa patur mundësinë të përshëndetet me tifozët, 8 herë fituesi i topit të artë mendon se ai e meriton një mundësi për t’u ndarë siç duhet me të gjithë katalanasit.

Në verën e 2021-shit, argjentinasi u largua nga Barcelona për shkak të krizës financiare që kishte pushtuar klubin, me sulmuesin që më pas u largua në drejtim të psg, atje ku qëndroi për dy sezone.

“Do të doja të më jepej mundësia të luaja një ndeshje lamtumire me Barcelonën. Do të doja të ndahesha në një tjetër mënyrë me tifozët. Kur u largova, përjetova një ndjesi të çuditshme, diçka që nuk përshkonte aspak me gjithçka që kaluam së bashku. Nëse do të ndodhë, do të isha shumë i lumtur për një gjë të tillë”, është shprehur kampioni i botës.

Ndeshja e fundit e Messit me fanellën e Barcelonës, rezulton në Maj të 2021-shit ndaj skuadrës së Celta Vigos, atëherë kur ekipi katalanas u mposht në shtëpi me rezultatin 2-1. Mirëpo asokohe, ndeshjet luheshin me stadiume të zbrazura për shkak të Covid 19-të.

Messi luajti për plot 16 sezone me Barcelonën, teksa në total u prezantua 778 herë me fanellën katalanase, duke shënuar 672 gola, e njëkohësisht dhuroi 303 asiste, shifra rekord këto, të paprekura dot nga asnjë lojtar tjetër në historinë e klubit. Trofe të fituar ishin 35, kur mes tyre vlen të theksohen 4 Champions League dhe 10 La Liga.

Nisur nga fjalët e Messit, mbetet për t’u parë se si do të reagojnë në katalonjë. Fjala është pikërisht për drejtuesit e Barcelonës, nëse do t’i mundësojnë lojtarit një ndeshje lamtumire me fanellën kuqeblu, apo deklarata e Messit do të mbetet thjesht një dëshirë e parealizuar.