Bruno Genesio, trajner i Lille:
“Çdo ndeshje e Ligës së Kampionëve është ndryshe nga tjetra. Mirëpo ka një parametër themelor për të arritur një rezultat dhe për mendimin tim është përkushtimi. Si të gjitha skuadrat italiane, Juventusi është shumë mirë i organizuar dhe shumë i vështirë për t’u përballuar. Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se ne kemi arritur tashmë dy suksese në këtë kompeticion, kështu që do të shfrytëzojmë sa më shumë shanset tona. Për më tepër kemi edhe tifozët tanë që do të na japin forcë. Ndoshta pas ndeshjeve të para që duhet të përballonim, të gjithë prisnim që të kishim një ose tre pikë. Por ja që neve kemi gjashtë, pasi mposhtëm dy nga skuadrat më të mëdha të kompeticion si Reali e Atletico. Megjithatë, kemi tashmë edhe Juventusin e Liverpulin. Por ecuria e deritanishme na jep shumë besim! Ne kemi treguar se mund t’i mposhtim këto lloj skuadrash, megjithëse e dimë se do të jetë shumë e vështirë. Një fitore do të ishte një hap i madh. Nuk duhet të harrojmë historinë e Juventusit…Në anën tonë kemi shumë lojtarë që mungojnë. Samuel Umtiti, Tiago Santos dhe Nabil Bentaleb janë të dëmtuar, plus Ethan Mbappé, Hakon Haraldsson, Rémy Cabella, Thomas Meunier, Ousmane Touré. Pa harruar edhe që Ismaily nuk është plotësisht në formë. E gjithashtu, André Gomes është po ashtu me probleme fizike, pavarësisht se nuk është i përfshirë në listën e UEFA-s për këtë kompeticion”.
Diakite, lojtar i Lille:
“Sigurisht që kundërshtarët tanë kanë individë mjaft cilësor në radhët e tyre, por mbi të gjitha, janë tepër të fortë edhe si kolektiv. Çdo ndeshje është e vështirë në Champions Ligë, por ne jemi gati që edhe ndaj Juventusit, të bëjmë atë që kemi bërë në dy ndeshjet e fundit kundër Realit dhe Atleticos. Do të jetë vërtet një ndeshje interesante”.Do të luajmë përpara tifozëve tanë, faktor që duhet ta shfrytëzojmë në favorin tonë. Sa i takon kundërshtarit tonë, do të thoja se bëhet fjalë për një ekip që meriton vlerësimin tonë maksimal. Ata janë energjikë dhe dinë ta ndërtojnë lojën, sipas një strategjie të caktuar duke u mbështetur sidomos nga krahët. E theksoj që duhet të luajmë sic kemi bërë në ndeshjet e fundit, për t’ia dalë mbanë. Para së gjithash duhet të tregojmë cilësitë tona falë dueleve individuale”.
Thiago Motta, trajner i Juventus:
“Për atë që ka dhënë deri tani, e respektojmë së tepërmi Lilën, një ekip që është vërtet në formë të shkëlqyer. Objektivi ynë, megjithatë, mbetet gjithmonë të marrim maksimumin nga cdo ndeshje që përballojmë. Të gjitha sfidat, sidomos në këtë kompeticion, janë të rëndësishme. Ne jemi Juventusi dhe gjithmonë duam të fitojmë. Pastastaj, natyrisht që mjaft e rëndësishme është të përpiqemi gjithmonë të përmirësohemi, ndeshje pas ndeshjeje. Kundërshtari ynë i radhës, ka fituar një besim të madh pasi ka mundur kampionët e Europës në fuqi. Prandaj ne duam t’i përballojmë ato në
kushte optimale. Guxoj të them madje se në fushën e lojës sonte, duhet të japim diçka më shumë se më e mira. Kam respekt të madh për trajnerin e Lille dhe të gjithë lojtarët e tyre. Genesio ka bërë një punë të shkëlqyer që kur ka ardhur te Lille. Skuadra e tij luan futboll shumë të mirë dhe në mbrojtje është mjaft solide.
Ne nga ana jonë vazhdojmë gjithmonë të mësojmë dita-ditës dhe përherë e më shumë po përmirësohemi. A është gati Douglas Luiz? Ai është përsëri në dispozicion dhe besoj se do të jetë në gjendje të ndihmojë, si nga fillimi në rast se do të vendos ta aktivizoj, por po ashtu edhe si zëvendësues. Mund të them se stafi ynë është i lumtur që zotëron një lojtar të tillë. Vlahovic? Është mirë dhe vazhdon të punojë si duhet që prej fillimit të sezonit. Mendoj se është mjaft i rëndësishëm për këtë skuadër, edhe atëherë kur nuk shënon gola”.
Kephren Thuram, lojtar i Juventus:
“Dihen vështirësitë që do të gjejmë kundër Lille, sepse ata janë një ekip i shkëlqyer dhe trajneri i tyre është shumë i përgatitur. Në fakt, ata gjithmonë duan të kenë posedimin e topit për të ecur përpara. Më befasuan sepse kanë mundur dy skuadra shumë të mëdha, por ata janë një ekip i fortë. E kemi përgatitur këtë sfidë si gjithmonë, duke respektuar kundërshtarin. Jemi besimplotë se do të marrim atë që duhet, teksa do të zbresim në fushë si përherë për të dhënë maksimumin. Babai dhe vëllai më uruan për golin. Babai më telefonoi për të më thënë se ku të përmirësohem dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme. A ndihem pasardhësi i Pogba? Jo, absolutisht jo. Nuk mund të ekzisojnë dy Pogba, sepse ai është lojtar shumë i zoti. Unë dua të jem versioni më i mirë i vetes time”.