Paratë nuk janë gjithçka! Shembulli konkret vjen nga Nabil Fekir dhe Lyoni në Francë, të cilët kanë bërë një hap prapa dhe kanë ndërprerë në moment të fundit bisedimet me Livepoolin rreth një transferimi të mundshëm. Të dy klubet ishin në bisedime për të lëvizur në Angli një nga lojtarët më të diskutueshëm të këtij sezoni në Ligue 1. Sipas gazetave franceze Lyoni kërkonte 60 milionë euro, Liverpooli ofronte 55 milionë me 5 të tjera bonuse. 24-vjecari Fekir vendosi në fund të qëndronte. Lyoni e njoftoi këtë përmes një komunikimi zyrtar. Kapiteni i Lyonit është aktualisht i grumbulluar me Francën dhe do të disktuojë me “trikolorët” botërorin në Rusi. Si fillim u hamendësua se Lyoni synonte t’i shtynte bisedimet me idenë se vlera e kartonit të Fekir do të rritej më shumë në rast të një botërori të suksesshëm të tij. Liverpooli aktualisht ka angazhuar Fabinhon nga Monaco dhe Naby Keita nga Leipzigu. Jurgen Klopp po mendon të përforëcojë organikën dhe sidomos sulmin në një kohë kur ka pasur raportime se Sadio Mane do të largohet me destinacion Realin e Madridit. Aftësitë e Fekir për të qenë polivalent në të gjitha rolet e repartit të avancuar janë ato që kërkohen nga të kuqtë. Me qëndrimin te Lyoni, Fekir tashmë pritet të ketë përpara edhe një kontratë të re, pasi ajo aktualja përfundon në vitin 2020-të.