Erling Haaland është duke përjetuar një epokë të mrekullueshme tek Manchester City, duke u kthyer në lojtarin më të mirë të skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola. Mirëpo, ndonëse ka një kontratë të vleshme deri në verën e 2027-tës me kampionët e Europës, kjo nuk e ka mbajtur atë larg vëmendjes së merkatos.
Në mediat e huaja, është spekuluar se në kontratën që lojtari ka me Manchester Cityn, ekziston një klauzolë largimi, e cila mund të bëhet aktive në verën e 2024-tëst, duke i dhënë mundësinë lojtarit që të transferohet tek Real Madrid, me klubin spanjoll që flitet se është në ndjekje të situatës së futbollistit në fjalë.
Megjithatë, për të gjitha këto teza të ndryshme, ka folur vetë agjentja e sulmuesit, Rafaela Pimenta, e cila ka hedhur poshtë, të paktën për momentin, çdo mundësi të largimit të norvegjezit nga kampionët e Anglisë. Pimenta ka shtuar se për kontratën e klientit të saj, kanë informacion vetëm Manchester City, babai i Haaland, vetë lojtari dhe pikërisht agjentja e tij. Më tej, ajo ka qartësuar se Haaland është një mjeshtër i fatit të tij, çka do thotë se ai di t’i balancojë mjaft mirë gjërat. Megjithatë, agjentja ka thënë se për të ardhmen, Haaland nuk mund të vendosë dot i vetëm, por ai duhet të komunikojë në radhë të parë me klubin, në një mënyrë që të gjendet një zgjidhje, nga e cila të mbeten të kënaqur të gjithë.
Nëse të gjitha palët gjejnë një marrëveshje në të mirë të gjithësecilit, atëherë është e mundur që të ndodhë një transferim në një tjetër klub. Përndryshe nuk ka asnjë mënyrë tjetër, sepse sipas Pimentas, Haaland ësht një person që nëse merr respekt, atëherë di të të respektojë në maksimum.
Nga ana tjetër, sa i përket Real Madrid, besohet se Los Blancos mund të kenë hequr dorë nga Kylian Mbappe, për shkak se telenovela e me francezin është tejzgjatur, kështu që, prioritet tashmë mund të jetë pikërisht Haaland. Në fokusin e tij, presidenti Florentino Perez gjithmonë ka synuar të transferojë në Santiago Bernabeu lojtarët të nivelit galaktik dhe Haaland padyshim që është një prej tyre. Gjithësesi, gjithçka mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë në të ardhmen.