Robert Lewandowski nuk e përjashton mundësinë e largimit nga Bayern Munich. Polakut i skadon kontrata në fund të edicionit të ardhshëm dhe drejtuesit e klubit kanë filluar të përgatiten për këtë situatë, në mënyrë që të shmangin ndonjë largim me parametra zero të polakut, ashtu sikurse ndodhi me David Alaba në fund përgjatë verës së shkuar.
Bisedime konkrete nuk ka, por sidoqoftë, vetë sulmuesi është shumë i qetë mbi këtë çështje, e madje sipas tij e konsideron dytësore, sepse për momentin synimi kryesor për të është të shënojë sa më shumë gola të jetë e mundur.
“Jam i hapur për gjithçka dhe nuk ndihem aspak i shqetësuar. Sa i përket kontratës time, do të thoja se këtë e konsideroj si një çështje dytësore, pasi jam i përqendruar në lojën time, aty ku dua ta dërgoj topin në rrjetë, sa më shumë herë të jetë e mundur”, ka thënë 33 vjeçari, që në fakt e ka përsëritur diçka të tillë edhe në dhjetor të vitit të shkuar.
Nisur nga këto fjalë, Lewandowski nuk e lidh domosdoshmërisht të ardhmen e tij me Bayernin, aty ku është pjesë që prej vitit 2014-të.
Nga ana tjetër, duke u bazuar këtu në raportimet që vijnë nga spanja, aty mediat thonë se dëshira e Lewandowskit është të transferohet tek Real Madrid. Sigurisht që kjo është një temë, për të cilën priten zhvillime më konkrete, sepse nga ana tjetër, sido që të jetë, Bayerni, nuk do të preferonte që bomberi i tyre të largohej me kosto zero nga Allianz Arena.