Kai Havertz e rinisi në mënyrën më të mirë të mundshme me Bayer Leverkusen, duke mposhtur në transfertë 4-1 Werder-in e Milot Rashicës. Havertz ishte protagonist që në pjesën e parë me dy gola, ndërsa në total, në 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet, numëron 12 realizime dhe 8 asiste. Mesfushori me karakteristika sulmuese është një lojtar që ndiqet nga skuadrat e mëdha sa i përket merkatos dhe tek Leverkusen nuk duan të heqin dorë lehtësisht prej tij. Njësoj si verën e kaluar, drejtuesit e klubit gjerman e kanë bërë të qartë se Havertz nuk mund të largohet nga skuadra, nëse drejt tyre nuk vjen një ofertë prej të paktën 100 milionë eurosh. Pavarësisht se u përfol që çmimet e lojtarëve mund të bien për shkak të situatës së pazakontë dhe problemeve që solli koronavirusi, tek Leverkusen nuk kanë ndërmend t’i marrin parasysh këto gjëra. Prandaj, klubet e interesuara për shërbimet e Kai Havertz, si Bayern Munich, Juventus, Barcelona apo PSG, duhet të përgatisin një ofertë prej 100 milionë eurosh, për të patur tratativa konkrete me drejtuesit e Leverkusen. Edhe verën e kaluar, për 20-vjeçarin pati goxha klube të interesuara, por ofertat zyrtare për të nuk erdhën për shkak të pretendimeve të larta të klubit gjerman. Mediat raportojnë se nëse situatat vijon në këtë drejtim, atëherë do të jetë vetë lojtari që do të fillojë të këmbëngulë tek drejtuesit për largimin e tij, për të mos e humbur me parametra zero në të ardhmen.