Leverkusen kërkon të befasojë, trajneri Peter Bosz pret surpriza ndaj Juventus

Sport

Peter Bosz (trajneri i Leverkusen):

“Nuk luajmë kundër një lojtari të vetëm. Ronaldo është i jashtëzakonshëm, por tek Juventus të gjithë janë të tillë. Për të arritur një rezultat pozitiv ndaj tyre nuk mjafton vetëm dëshira dhe loja e mirë. Na duhet të këmbëngulim dhe të ruajmë qetësinë në çdo moment. Nëse mendon se sfida ka mbaruar, atëherë është e kotë të shpresosh për të arritur objektiva. Ne kemi disa lojtarë në skuadër që mund të bëjnë diferencën. I dimë pikat tona të forta dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë sa më shumë. Sigurisht që nuk mund të garantojmë se kemi për ta fituar këtë ndeshje, por mund të siguroj se skuadra ime do zbresë në fushë me dëshirën dhe qëllimin për të realizuar diçka të madhe. Në ‘Champions League’ luan në nivelin më të lartë, prandaj çështja e vështirësisë nuk duhet diskutuar aspak.”

Lukas Hradecky (portier i Leverkusen):

“Juventusi është një skuadër e mbushur me yje të klasit botëror. Do të kemi një detyrë shumë të vështirë, pasi do kërkojmë të marrim rezultat kundër një ekipi që ka shumë eksperiencë. Duhet të mbrohemi sa më mirë dhe të jemi të bashkuar gjatë gjithë ndeshjes. Duhet kontributi i të gjithëve për të marrë një rezultat në sfida të tilla. Shpresoj që pasimet e mia të jenë më të mira se ndaj Lokomotivës së Moskës. E kam lënë pas atë gabim dhe kërkon të ndihmoj skuadrën sa më shumë. Duhet të tregojmë vlerat tona në këtë kompeticion dhe kundërshtarë si Juventus, janë të duhurit për të bërë gjëra të mëdha.”