Xabi Alonso (trajner i Leverkusen):
“Dëshirojmë të luajmë çdo ndeshje për të fituar, madje edhe sot kundër një skuadre të madhe sic e konsideroj Interin. Ky është fokusi ynë kryesor për momentin. Qëllimi ynë është të kualifikohemi në tetë të parët dhe të japim maksimumin në çdo kompeticion. Do të thoja se skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi është një prej ekipeve më të mira në Evropë. Po përballemi me njërin nga ekipet që është më në formë për momentin. Por për ne, kjo është një mundësi për të parë se ku qëndrojmë, edhe sepse mbi të gjitha luajmë në shtëpinë tonë. Prandaj duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Inter është një skuadër fituese. Fakti që nuk ka pësuar gola tregon se ata kanë një vazhdimësi të madhe vitet e fundit në Champions League. Interi është jashtëzakonisht i qëndrueshëm, shumë solid dhe ka një ide të qartë për atë se çfarë kërkon. Ata e dinë se ku ta çojnë lojën, janë shumë të pjekur dhe do të jetë fantastike të luash kundër tyre.
Kanë lojtarë të mrekullueshëm dhe një nga trajnerët më të mirë në botë, kështu që ne mezi presim t’i përballojmë. Sa na takon ne, do të thoja se ka shumë pritshmëri rreth nesh. Mirëpo deri tani kemi arritur të mos zhgënjejmë atë se cfarë të tjerët presin nga nga. Mund të them se kemi bërë një ecuri pozitive, por më e vështira duhet të vijë. Prandaj duhet të jemi gjithmonë gati, edhe atëherë kur gjërat mund të mos shkojnë aq mirë sa pritet. E theksoj se kjo do të jetë padyshim një sfidë e madhe për ne dhe mezi presim të zbresim në fushën e lojës për ta përjetuar të gjithë bashkë”.
Edmond Tapsoba, mbrojtësi i Leverkusenit:
“Ne po përballemi me një nga skuadrat më të forta në Evropë, por jemi gati dhe jemi stërvitur mirë. Interi ka një ide shumë solide dhe të qartë se çfarë kërkon në fushën e lojës. Ne jemi të emocionuar të luajmë kundër tyre. Do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë përballje që mezi po e presim. Natyrisht kemi një qëllim të qartë. Duam të kualifikohemi në mesin e tetë më të mirëve dhe synimi ynë në këtë ndeshje janë tre pikët. Sigurisht që duhet të bëjmë kujdes, pasi kemi kundërshtar një Inter që do të na e bëjë gjithcka të vështirë. Ata e kanë treguar sesa vlejnë me ecurinë pozitive që kanë pasur deri tani në UEFA Champions League. Por ne jemi gati të përballemi për të marrë rezultatin pozitiv që duam”.
S.Inzaghi, trajner i Inter:
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, do të luajmë kundër një ekipi me vlerë të jashtëzakonshme, që gjatë vitit të fundit ka humbur vetëm tri herë. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë këto dy ditët e fundit. Nga ana e vet mendoj se Interi duhet ta interpretojë mirë ndeshjen… E njohim mirë Leverkusenin: është skuadër teknike dhe luan shumë mirë, duke ushtruar presion të fortë dhe të organizuar. Sulmojnë shpejt kur humbasin topin, prandaj ne do të duhet të jemi të aftë në të dyja fazat e lojës. Duam të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Champions duke shfaqur formën më të mirë të mundshme.
Me 18 pikë, kualifikimi është i sigurt, na mungojnë dhe 5 dhe duam t’i sigurojmë shpejt. Deri tani për ne ka qenë një rrugëtim i mrekullueshëm që më mbush me krenari, por e theksoj që ndaj këtij Bayer-i duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Statistikat janë të rëndësishëm në futboll dhe herë pas here duhen lexuar. E dimë që kemi pasur dy rrugë të ndryshme këtë vit, duhet të rrisim vëmendjen dhe të përmirësojmë të gjithë së bashku fazën e mosposedimit të topit. Në kampionat kemi bërë shumë mirë ndeshjet e fundit dhe duam vazhdimësi ndaj Bayer-it.
Sigurisht që do të ketë ndryshime krahasuar me ndeshjen e së premtes në Serie A, pasi kemi disa mungesa si të gjithë. Së fundi u shtua edhe ajo e Dumfries, i cili kishte temperaturë të lartë dhe nuk mund të stërvitej dot sëbashku me skuadrën. Sigurisht, me mungesat e tjera të Acerbit dhe Pavard në mbrojtje, pak a shumë do të na vështirësohet situata, por kam besim të plotë tek ata që kam në dispozicion dhe që do të zbresin në fushën e lojës për këtë përballje”.
Hakan Çalhanoğlu, mesfushori i Interit:
“Pas shtatë vitesh, po kthehem për herë të parë si kundërshtar në Leverkusen. Kam përjetuar kaq shumë emocione gjatë qëndrimit tim këtu dhe jam i emocionuar të shoh disa nga ish-shokët e skuadrës dhe stafin drejtues. Ndihem i lumtur me rrugëtimin që kam bërë dhe mbi të gjitha me karrierën time të deritanishme. Më duhet të falënderoj trajnerin e Interit, Inzaghi, dhe stafin teknik pasi kanë qenë të rëndësishëm për mua. Unë kam bërë më të mirën për t’u përmirësuar. Ndihem mirë në atë pozicion ku luaj aktualisht dhe jam gjithmonë i rrethuar nga shokë skuadre mjaft cilësorë. Gjithsesi do të hyjmë në fushë për fitore, pasi synojmë të hedhim hap drejt kualifikimit për në fazën tjetër”.