Levante në rrezik, Sadiku duhet të gjejë patjetër ekip

Sport

Armando Sadiku është një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare që nuk po gjen dot një skuadër, ku të vazhdojë të luajë me rregullësi. Me siguri mund të thuhet se nuk do të kalojë te Trabzonspori, klubi turk që nuk gjeti akordin financiar me Levanten për të marrë sulmuesin shqiptar. Prandaj, bëri një tjetër zgjedhje, duke nënshkruar me anglezin Daniel Starrixh, i mbetur pa skuadër pas largimit nga Liverpuli.


Në këtë situatë, Sadiku duhet të vijojë gjetjen e një sistemimi të ri, pasi është jashtë planeve të trajnerit të Levantes, Pako Lopez. Për më tepër që klubi spanjoll ka nevojë urgjente për ta shitur sulmuesin elbasanas, përderisa sipas mediave spanjolle, ka kaluar limitet e Fair Play Financiar që duhet të përmbushë sa i takon kampionatit spanjoll, pasi nuk ka një bilanc pozitiv mes të ardhurave dhe shpenzimeve të bëra.

Nëse nuk arrin dot të shesë Sadikun dhe disa emra të tjerë që ka në treg të cilët janë jashtë planeve, Levante rrezikon një penalizim në aspektin sportiv, deri edhe me heqje pikësh. Prandaj, deri kur të mbyllet merkato, drejtuesit e klubit nga Valencia do të synojnë që të gjejnë një sistemim për Sadikun dhe lojtarët e tjerë, të cilëve u është komunikuar se nuk do të jenë më pjesë e planeve të Levantes për sezonin e ardhshëm. Nuk përjashtohet që Sadiku të vazhdojë një aventurë në futbollin spanjoll, por duke pranuar të zbresë në Segunda Division, përderisa i kanë ardhur disa oferta nga klubet e atjeshme.