Letra publike e Ragip Xhakës: Faleminderit shqiptarëve!

Sport

ragip

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin protagonistët kryesorë të gjunjëzimit të Serbisë, me dy golat e tyre në këtë Botëror. Por festa me shqiponjë e dy lojtarëve me origjinë shqiptare i preku shumë serbët, aq sa reaguan ashpër deri edhe në FIFA. Organizmi i lartë i futbollit botëror i gjobiti dy futbollistët me nga 10 mijë franga. Aq sa nga shqiptarët brenda dhe jashtë territoreve shqipfolëse nisën fushata për mbledhje fondesh që të paguhej ajo gjobë. Mbi këtë temë ka reaguar edhe babai i Granit Xhakës, Ragipi, i cili ndër të tjera ka qenë në vëmendjen e mediave botërore për arsye se vite më parë ishte i arrestuar politik nga regjimi serb. Në një letër publike të dërguar këto ditë nëpër mediat kosovare, i ati i vëllezërve Xhaka, sqaron se fushata e ndërmarrë nga kryeministri shqiptar, Rama për mbledhjen e parave do të ndihmojë 3 fëmijë të sëmurë, pasi fondi i mbledhur është vendosur të dhurohet. Gjithashtu ai ka komentuar edhe vetë gjestin e shqiponjës, duke thënë se është simbol i gëzimit të shqiptarëve, si në dasma e koncerte, ashtu edhe në ndeshje futbolli. Prandaj nuk ka brenda asnjë urrejtje apo lidhje me të tjerët.

cunat

Sipas tij, ajo është thjesht një shenjë dalluese e shqiptarëve, që njihet menjëherë prej tyre dhe nuk ka nevojë për shpjegime. Përpara një fakti të tillë, ai është shprehur i cuditur me reagimin e atyre që e përjetuan këtë simbol si ofensivë për ta, apo që e trajtuan si të ishte gjest politik. Nga ana tjetër, Xhaka senior nuk ka qenë aspak i befasuar me solidaritetin e shqiptarëve, që janë ndjerë jo mirë nga keqinterpretimet e festimit me atë simbol. Kështu që si rezultat morën pjesë të shumtë në numër në iniciativën e kryeministrit Edi Rama për të kontribuar për gjobën e padrejtë të marrë nga dy lojtarët me origjinë shqiptare. Ragipi ka përfituar nga rasti për të falënderuar të gjithë ata që kontribuan, jo për shumën, por në veçanti për faktin që kthyen 20 mijë fish gëzimin e dhënë nga shenja e shqiponjës pas golave të shënuar nga Xhaka e Shaqiri.