Skuadra kampione e Francës, PSG duket se ka ndryshuar qëndrim ndaj yjeve të skuadrës dhe deklaratat e drejtorit Leonardo vijojnë të tërheqin vëmendje. Pasi konfirmoi hapur se Neymar mund të largohet nga skuadra, të tjera dyshime janë ngritur mbi Kylian Mbappe. Pak kohë më parë, kampioni i botës shprehej se kërkonte të kishte më shumë përgjegjësi në skuadër, përndryshe do të largohej diku tjetër. Dëshirë kjo që klubi duket se po ja plotëson, megjithatë siç deklaroi Leonardo së fundmi, edhe Mbappe nuk ka asgjë të sigurt rreth të ardhmes së tij. Drejtori sportiv i PSG iu referua kryesisht çështjes së rinovimit me Mbappe.
Ndonëse kontrata e francezit skadon në 2022, tek PSG janë të shqetësuar për një largim të kampionit të botës, prandaj herë pas here bëhet përpjekja për të rinovuar, në mënyrë që të vendoset një klauzolë sa më e lartë. 20-vjeçari ka zhvilluar sezone mjaft të mira me PSG dhe ndryshe nga Neymar, rrallë herë ka patur probleme dëmtimesh apo pezullimesh. Leonardo tha se nuk premton që Mbappe do të rinovojë dhe do të qëndrojë gjatë tek PSG, por u shpreh se ekziston vullneti i të dy palëve për të vijuar bashkëpunimin. Skuadra më e interesuar për shërbimet e Mbappe është Real Madrid. Prej kohësh flitet se ‘los blancos’ mund të bëjnë ndonjë përpjekje në të ardhmen për të rrëmbyer Mbappe, diçka që do të kishte një kosto shumë të madhe, pasi tek PSG nuk hyjnë në bisedime për 20-vjeçarin pa një ofertë fillestare prej të paktën 220 milionë euro.