Lenjani, vijon si protagonist me Sionin

Sport

lenjaninzvc

Sioni ka fituar një transfertë të rëndësishme në javën e 28-të të Superligës në Zvicër, duke thyer me rezultatin 2-0 Lozanën në duelin për mbijetesë. Protagonist i kësaj sfide ka qenë edhe një shqiptar, si Ermir Lenjani. Ai fillimisht, me një top të dërguar në zonë, u përfshi në aksionin që solli penalltinë, e cila u prit në një moment të parë nga portieri, por që më pas, Karlitos i Sionit e ktheu në rrjetë.
10 minuta nga fundi i ndeshjes, Lenjani krosoi bukur në zonë, sërish për Karlitos, i cili nuk e pati të vështirë ta devijojë topin me kokë, duke shënuar golin e dytë që riktheu Sionin tek fitorja. Gjithsesi, edhe pas këtij rezultati, skuadra e mbrojtësit të Kombëtares kuqezi mbetet në vendin e fundit. Por të paktën është afruar me Lozanën, duke pasur një diferencë prej 3 pikësh.
Fitoren e radhës sigloi edhe Bazeli i shqiptarit tjetër në Zvicër, Taulant Xhakës. Mesfushori u aktivizua si zakonisht për 90 minuta në suksesin 1-0 të arritur në fushën e Luganos, duke u shfaqur si një ndër më aktivët, teksa nuk i kurseu vetes as një karton të verdhë. Bazeli e përballoi këtë ndeshje për pjesën me të madhe me 10 futbollistë, teksa Suchy është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 23-të. Diferenca e kampionëve me kryesuesit e Jang Bojs gjithsesi vijon të mbetet 16 pikë, pasi ekipi nga Berna fitoi 4-2 në transfertë ndaj Sant Galen.