Lenjani s’përmbahet me Sionin, shënon në mënyrë të pazakontë

Sport

Ermir Lenjani vazhdon në një formë të mirë, jo vetëm duke u aktivizuar rregullisht, por edhe duke realizuar gola për ekipin e Sionit në kampionat. E në fundjavë ndaj Luganos, shënoi në një mënyrë disi të rrallë, duke gjuajtur me kokë nga një distancë e konsiderueshme. Pas krosimit të ardhur nga krahu i majtë, Lenjani e ka dërguar bukur topin në portë. Pikërisht në minutën e 88-të do të vinte edhe barazimi 1-1 ndaj Luganos, pasi miqtë kishin kaluar të parët në avantazh. Por Sioni nuk ia ka ditur vlerën këtij goli, duke gabuar në minutat e fundit, pasi u surprizuan sërish dhe e mbyllën takimin me humbjen 1-2, në një përballje që duhej fituar për të vazhduar pozicionimin në vendin e tretë të renditjes. Për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare ishte goli i tretë personal i këtij sezoni në kampionatin zviceran, por këtë herë pa arritur të sjellë pikë për ekipin e tij.


Ndër ndeshjet e tjera të javës së 10-të të kampionatit në Zvicër, Baseli i Taulant Xhakës barazoi pa gola në fushën e St.Gallen, gjithsesi duke vazhduar të komandojë renditjen, me 1 pikë më tepër sesa Young Boys që fitoi 4-0 në transfertë me Zyrihun. Mesfushori shqiptar, i cili nga një prej titullarëve të formacionit tashmë ka përfunduar në listën e pritjes së Kombëtares kuqezi, me Bazelin luajti për 63 minuta, gjatë të cilave u ndëshkua me karton të verdhë. Ndërsa kosovari Edon Zhegrova qendroi gjatë të gjithë ndeshjes në stol.