Lenjani pa skuadër, por nuk dekurajohet: Zoti di të planifikojë…

Sport

Njëri prej lojtarëve shqiptarë që kanë mbetur pa ekip është Ermir Lenjani. Klubi i Sionit e la të lirë, për shkak të krizës që ka mbërthyer futbollin zviceran dhe jo vetëm, si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Presidenti i Sionit kërkoi nga lojtarët që të ulnin rrogën, duke u ofruar vetëm 13 mijë franga zvicerane. Plot nëntë prej tyre nuk e pranuan diçka të tillë dhe si rrjedhojë u përjashtuan nga ana e klubit. Mes tyre ishin edhe anësori 30-vjeçar i Kombëtares shqiptare, si dhe shqiptari i Zvicrës, Pajtim Kasami.
Vetë Lenjani ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, duke shkruar konkretisht: “Sinqerisht, pranimi i plotë që gjithçka ndodh për një arsye. Qoftë e mirë apo e keqe, e bën një njeri shumë paqësor. Ti nuk ke më shqetësime dhe je i lumtur, sepse e di që një ditë do e kuptosh se pse të ndodhi ty. Mund të mos ndodhë sot ose nesër, por gjithsesi do të ndodhë. Zoti di të planifikojë gjithçka”. Nuk dihet se çfarë do të rezervojë e ardhmja për Lenjanin, i cili për momentin po zbaton karantinën. Por me siguri mund të thuhet se ky sezon për të është mbyllur. Nga vera me shumë mundësi do të vendoset në kërkim të një skuadre të re. Gjithmonë, nëse Coronavirusi do t’ia lejojë.