Edhe Ermir Lenjani ka hedhur një firmë të rëndë këtë fundjavë që lamë pas. Anësori i Kombëtares shqiptare ka vazhduar duke shfaqur formë të mirë dhe duke shënuar gola te Sioni në Superligën e Zvicrës. Skuadra e tij arriti të marrë një fitore minimale 1-0 jashtë fushës së vet, përballë Thunit. Goli i vetëm në këtë takim u shënua pikërisht nga lojtari i përfaqësueses shqiptare, në minutën e 17-të. Gjithçka nisi pas një topi të gjatë të ardhur nga këmbët e një tjetër futbollist shqiptar, por ka zgjedhur Zvicrën, si Pajtim Kasami. Me këtë gol, Lenjani e sheh veten në kuotën e dy golave në gjashtë ndeshje, ndërsa Sioni renditet i treti me vetëm 2 pikë larg kreut të klasifikimit pas 6 javësh.
Java e gjashtë e Superligës së Zvicrës ka pasur edhe një tjetër protagonist me prejardhje shqiptare. Bëhet fjalë për Kemal Ademin, që gjithnjë e më shumë po shndrrohet në një futbollist shumë të rëndësishëm për Baselin. Ai arriti të shënojë dy gola, në fitoren 2:1 që fiksuan kampionët e Zvicrës kundër Luganos. Sa i takon futbollistëve të tjerë shqiptare që luajnë për Baselin, Taulant Xhaka ishte në fusha nga fillimi i lojës, kurse Edon Zhegrova hyri si zëvendësues në minutën e 75-të. Baseli kryeson me 15 pikë, ndërsa Young Boys është i dyti me një pikë më pak. Pikërisht javën e ardhshme, Young Boys pret Baselin për të konsumuar kështu atë që konsiderohet si supersfida e kampionatit në Zvicër.