Carlos Tevez humb përballjet me Brezilin dhe Kolumbinë. Sulmuesi i Boca Juniors i është shtuar listës së të lënduarve, të cilët do t’i mungojnë Argjentinës në dy përballjet e radhës për kualifikueset e Botërorit Rusi 2018-të. Nënkampionët e botës, më 13 nëntor do të presin në shtëpi Brazilin dhe 4 ditë më pas do të udhëtojnë për në Kolumbi, por skuadrës krahas Messit, Agueros, Zabaletas dhe Garay-it, do t’i mungojë edhe Tevez, i cili ka pësuar një lëndim në gju dhe tashmë është larguar nga grupi.
Tevez e mbylli kampionatin argjentinas si kampion, por në javën e fundit ishte ankuar për një formë të dobët fizike. Shtypi vendas raportoi se sulmuesi i Bocas, kishte pësuar një ndrydhje të gjurit dhe një tërheqje muskulore. Por pavarësisht kësaj gjëndje, siç lexohet nga komunikata për-shtyp e Federatës Argjentinase të Futbollit, Tevez ka provuar të jetë i gatshëm për skuadrën e Gerardo Martinos.
31 vjeçari thuhet se ka qenë prezent në stërvitjen e së martës, por nuk ka mundur të ushtrohet për shkak të problemeve që e kanë shoqëruar.Për këtë Tevez është ftuar që ta vazhdojë rikuperimin nga lëndimi në klubin e tij, duke u lënë kështu jashtë grupit. Argjentina ka pasur një fillim të vështirë të këtyre kualifikueseve, teksa në dy ndeshjet e para ka mundur të marrë vetëm një pikë, ndërkohë që tashmë në dy ndeshjet e radhës Martino duket të jetë i detyruar për t’i besuar dyshes Higuain-Dybala.