Leipzig, Nkunku shpallet lojtari i viti në Gjermani; sulmuesin e kërkojnë të gjithë

Sport

Christopher Nkunku ka shijuar një sezon ëndrrash në aspektin personal me fanellën e Leipzig përgjatë 2021/22-shit. Sulmuesi francez regjistron shifra të jashtëzakonshme në sezonin që po mbyllim, me 34 gola të shënuar e 20 asiste në 51 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet. 24-vjeçari është përzgjedhur tanimë edhe si lojtari më i mirë i vitit në kampionatin gjerman, duke mposhtur një konkurent me peshë si Robert Lewandowski.

Ky çmimi vjen pasi Nkunku përgjatë sezonit theu edhe rekordin me 4 trofe personal si lojtari i muajit në Gjermani, duke e shndërruar në yllin e momentit te Leipzig. Por paraqitjet e jashtëzakonshme të francezit nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe në merkato. Shumë klube të mëdha europiane janë gati të investojnë shifra të konsiderueshme për të bërë për vete 24-vjeçarin e formuar në akademinë e Paris SG.

Shumë oferta për Nkunku thuhet se kanë ardhur nga Anglia, ku më e rëndësishmja mbetet ajo e Arsenal-it. Emri i tij është lidhur po ashtu edhe me Milan-in, ku thuhet se mund të jetë objektivi i parë i merkatos së kuqezinjve, në rast se do të konfirmohet ndryshimi i pronësisë. Megjithatë, performancat e jashtëzakonshme të Nkunku gjatë këtij sezoni ka bërë që edhe vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm. Sipas asaj që raportojnë mediat në Gjermani, Leipzig nuk ka ndërmend të heq dorë nga shërbimet e francezit pa siguruar të paktën 70 milionë euro nga shitja e tij. Ndërkohë që duke parë rritjen e konkurencës për të, kjo shifër mund të pësojë rritje drastike.