Leipzig, Nagelsmann tregon se sa do të peshonte për ekipin largimi i Werner

Sport

Julian Nagelsmann këmbëngul në qëndrimin e Timo Werner. Trajneri i Leipgiz nuk do ta lejojë shumë lehtë largimin e sulmuesit kryesor të skuadrës, i cili është vënë në qendër të merkatos për shumë klube të mëdha europiane. Tekniku i ekipi gjerman përsëriti se një largim i mundshëm i Werner, do të ishte një goditje e madh për një klub si Leipzig, që sipas tij, duhet të luftojë për të mbajtur pjesë të skuadrës talente si Werner, që kanë aftësinë për t’u bërë ndër më të mirët në botë në rolet e tyre. Nagelsmann shkoi më tej duke e krahasuar këtë largim të shumëpërfolur të Werner, me një largim të Lewandowskit nga Bayern Munich. Tekniku 32-vjeçar u shpreh se askush nuk do të ishte i lumtur nëse Werner largohet, njësoj siç edhe tek Bayern do të tronditeshin nga një largim i Lewandowskit. Megjithatë, trajneri i Leipzig e pranoi se nuk ka për të qenë një mision i lehtë bindja e Werner për të qëndruar tek skuadra e tij. Kjo, për shkak se për shërbimet e tij interesohen klubet më të mëdha të kontinentit, që kanë edhe një fuqi ekonomike të jashtëzakonshme. Një sulmues me 30 gola dhe 12 asiste në 39 ndeshje mes kampionatit gjerman apo ‘Champions League’-ës, është e kuptueshme që do të tërheqë vëmendjen e mediave dhe të shumë klubeve, por sipas Nagelsmann, njëkohësisht bën që lojtari të mendojë më shumë për ambiciet e tij. Werner është listën e dëshirave të skuadrave si Liverpool, Inter, Juventus, Real Madrid, Manchester United apo PSG, teksa pak kohë më parë, mediat raportuan se në kontratën e sulmuesit të kombëtares gjermane, ekziston një klauzolë largimi në shifrën e 60 milionë eurove.