Claudio Ranieri zor se mund të harrohet lehtë nga tifozët e Leicester City-it. Në fakt të shumtë ishin ata që të hënën kundër Liverpoolit, i kushtuan kore dhe pankarta 65-vjecarit italian, i cili u shkarkua javën e kaluar. Ranieri ishte një nga elementët kryesor që çuan drejt triumfit në Premier-League sezonin që shkoi, por gjërat nuk shkuan mirë këtë vit. Rezultatet e dobëta dhe rreziku i rënies nga kategoria e mbyllën parakohe aventurën e tij në King Power. Pas shkarkimit, të shumta kanë qenë spekulimet se kush mund të jetë zëvendësuesi i Ranierit, por duket se zgjidhja është brenda skuadrës. Si fillim 53-vjecari Craig Shakespeare, i cili ka marrë përsipër të drejtojë ekipin, ka një përvojë të gjatë dhe e njeh mirë ambientin. Ai ka qenë asistent i ish-trajnerit Nigel Pearson që prej vitit 2008-të. Shakespeare ka qenë përkrah edhe Ranierit. Në 81 ndeshjet që italiani i drejtoi “Dhelprat”, ai ishte aty. Me një përvojë kaq të gjatë pranë skuadrës, ai duket të jetë personi i duhur për ta nxjerrë nga situata Leicester-in. I pyetur nëse është i aftë ta bëjë detyrën e trajnerit, Shakespeare tha se po, por që sipas tij kryesore është vazhdimësia e rezultateve pozitive të klubit dhe jo karriera e tij personale. Shakespeare falenderoi tifozët, që sipas tij arritën t’i shkundin lojtarët dhe t’i qëndronin pranë. Ai tha se fitorja ndaj Liverpoolit ishte një reagim ndaj tërë atij presioni dhe mosbesimi te grupi aktual, që sidoqoftë mbetet kampion i Anglisë. Tanimë detyra është që të vazhdohet në këtë rrugëtim dhe pse jo të shpresohet edhe në ndeshjen e kthimit kundër Sevillas në Champions League.