Fillimi i gushtit ka gjetur pa skuadër një pjesë të konsiderueshme të legjionarëve të Kombëtares shqiptare. Duke nisur nga mbrojtja, ku veç Mërgim Mavrajt që duhet të zgjedhë se cfarë do të bëjë, është edhe Arlind Ajeti, i cili është në kërkim të një skuadre. Pas sezonit në huazim te Krotone, ai është kthyer te Torino, por që ka vendosur ta lërë të lirë pas mbylljes së kontratës. Kështu që ish-mbrojtësi i Bazelit dhe Frozinones po sheh për një sistemim të ri. Javët e fundit është folur për një akord të prishur në momentet e fundit me Legian e Varshavës. Mirëpo duket se synimi i tij është të mbetet në Itali, aty ku Frozninone ose Krotone mund të vendosin ta kthejnë në gjirin e tyre.
Një vleresim të mundshëm për të shkuar në skuadër tjetër është duke bërë edhe Berat Gjimshiti. I rikthyer tek Atalanta pas përvojës me Beneventon. Mbrojtësi duket se po ndjen konsideratën e duhur në radhët e bergamaskëve, që nuk e kishin as në stol për sfidën e parë të Europa League kundër Sarajvës. Në këtë mënyrë, Gjimshiti mund të zgjedhë për të lëvizur, pasi kërkon të luajë. Dhe dashamirësit sidomos në Serinë A dhe B, nuk i mungojnë.
Çeshtje më vete është edhe ajo e Armando Sadikut, i cili e sheh veten pa të ardhme te Levante. Në këtë drejtim ka marrë sinjale edhe nga aktivizimet e pakta që ka pasur në miqësoret e fundit të spanjollëve. Teksa flagrante ishte qendrimi në fushë vetëm për 15 minuta në ndeshjen kundër holdandezëve të Zëolle. Prandaj, sulmuesi elbasanas duket se po vazhdon të vlerësojë opsionet që i ofrohen për të lëvizur. Me Turqinë që duket si destinacioni më i mundshëm, teksa Rizespori është gati ta presë krahëhapur.
Për Sokol Cikalleshin, diskutimi duket se është ndryshe. Osmanlispor e ka sulmuesin kavajas në qendër të projektit, por aktivizimi në kategorinë e dytë turke nuk i pëlqen shqiptarit. Prandaj do të tentojë të largohet, me synimin për të luajtur në Superligën e Turqisë. Golat në ndeshjet miqësore janë tregues i fortë për formën e Cikalleshit, por deri më tani, gjithçka ka mbetur në kuadrin e interesimeve. Pritet që muaji gusht të sistemojë sa më shpejt lojtarët e mbetur pa skuadër, ose që janë ende në ajër sa i takon të ardhmes së tyre.