Mendimet e disa prej legjendave të futbollit ndahen mes Gjermanisë dhe Spanjës si fituese të Botërorit, megjithëse kuotat e basteve shohin Brazilin si favorit për kampion të botës. Kur mungojnë edhe pak ditë nga nisja e turneut të shumëpritur, eventi “Road to Russia” i organizuar nga Betfair në një teatër londinez, ka dhuruar disa verdikte interesante. Të ftuar kanë qenë 5 ish-kampionë të futbollit, si braziliani Rivaldo, gjermani Michael Ballack, anglezi Rio Ferdinand, spanjolli Mishel Salgado dhe suedezi Henrik Larson. Ferdinand dhe Ballack, megjithëse duke mos dashur të kapen tek zgjedhja e Loë për të hequr dorë nga një talent si Sane’, kanë cilësuar organizimin e Gjermanisë si “armën” që mund t’i dërgojë sërish ata në majën më të lartë të botës.
“Gjermanët nuk nënvlerësojnë kurrë askënd. Por njëkohësisht as mbivlerësimi i kundërshtarëve nuk bën pjesë në kulturën tonë”, ka kujtuar Ballack. Ndërsa Rio Ferdinand, i pyetur nëse skuadra e Loë mund të përsërisë suksesin e “Brazil 2014”, është përgjigjur se “ka shumë mundësi”. Fundja sipas tij, edhe për Realin e Madridit thuhej se do të ishte e pamundur të imponohej në dy Champions radhazi. “Por madrilenët ia dolën jo vetëm një, por dy herë!”, u shpreh ai. Ndërkohë, Salgado shfaqet patriotik duke thënë Spanja. Njësoj si Larson, që në Gadishullin Iberik me Barcelonën ka përjetuar momentet më të lavdishme të karrierës. “Për një farë periudhe, në përkim me largimin e Xavi, patëm një farë ngopje me fitore. Por tani kemi përgjigjen në mesin e fushës dhe quhet Isco”, ka deklaruar ish-mbrojtësi i Realit dhe Kombëtares spanjolle.Kurse Rivaldo nga ana tjetër është shprehur me besim të madh se Selesao e re, që është ndërtuar nga tekniku Tite, mund të bëjë të harrohet makthi i shpartallimit epik 1-7 që morën 4 vjet më parë nga Gjermania. Ndër të tjera, ish-kampionët kanë konsideruar Urugajin dhe Belgjikën si surprizat e mundshme. Ndërsa Harry Kane ka gjetur konsesus sa i takon golshënuesit më të mirë të Botërorit.