Legjenda italiane i del në mbrojtje Strakoshës: Nuk ka asnjë faj…

Sport

thomas 1213

Dino Zoff, një nga ish-portierët legjendarë italianë, ka folur për Thomas Strakoshën dhe paraqitjen që bëri shqiptari midis shtyllave të Lacios, në ndeshjen e fundit përballë Juventusit. Shumë u përmend fakti që 22-vjeçari i portës ishte protagonist i disa çasteve shpërqendrimi që i kushtuan shtrenjtë skuadrës. Aq sa përfundoi në bankën e të akuzuarve, edhe për ndonjë pavendosmëri të tepruar. Por ish-portieri i Lacios dhe Juventusit ka kundërshtuar këtë version të nxjerrë nga mediat, duke thënë: “Të paktën për 45 minuta, Strakoshës nuk iu desh të bënte pothuajse asnjë pritje. Ndoshta, mund të bënte diçka më shumë ndaj gjuajtjes së Dybalas në rastin e golit të parë të Juventusit. I shpëtoi topi dhe aty Cancelo nuk e fali… Megjithatë nuk e ndiej ta bëj me faj”, ka shpjeguar Zoff, i cili ka theksuar se portieri shqiptar mbetet i një niveli të lartë.

1709189 dinozoffitaly 1526215267 142 640x480

Gjë që në fakt e dëshmoi edhe gjatë sezonit të kaluar, ku u shfaq një ndër më të mirët, sa u takon talentëve të portës në kampionatin italian. Duke vijuar të flasë për Lacion, Zof ka pranuar se bardhekaltërit nuk e meritonin humbjen ndaj Juventusit. Por mungesa e kujdesit në dy raste u kushtoi shtrenjtë. Aq më tepër kur përballë kishin një skuadër, që nuk të fal lehtë. Gjithsesi, ish-portieri ka thënë se Lacio duhet të jetë e kënaqur, sidomos për lojën e bukur që shfaqi përballë kryesuesve të Serisë A. Nëse vazhdon në këtë rrugë, sipas Zof, mund të thotë fjalën e vet edhe në garën për një vend në Champions League, ku pritet të ketë konkurrencë me Milanin, Romën, apo edhe Atalantën.