Thomas Tuchel ka marrë menjëherë mbështetjet e para si trajner i Bayern Munich. Është pikërisht një legjendë e klubit bavarez, sikurse Lothar Matthaus, i cili është i bindur se Tuchel është personazhi i duhur për të drejtuar ekipin dhe ka besim se shumë shpejt, gjermani, do vendosë qëndreushmëri në skuadër, ndryshe nga paraqitjet me Nagelsmann në krye, kur situata kishte dalë disa herë jashtë kontrollit.
“S’kam asnjë dyshim se me Thomas Tuchel, Bayerni do të rikthehet të jetë sërish një ekip i qëndrueshëm dhe skuadra nuk do të ketë luhatje në vijimësi, diçka që me Nagelsmann ndodhte shpesh dhe futbollistët e shihnin veten në telashe”, ka thënë fillimisht 62 vjeçari.
Më tej, ish-mesfushori ka komentuar edhe ndeshjen e radhës të Bayernit, atë ndaj Borussia Dortmund, që konsiderohet një sfidë e drejtpërdrejtë për titullin kampion.
Sipas Matthaus, Bayerni do të shfrytëzojë mjaft mirë faktorin fushë dhe eksperiencën e ndeshjeve të tilla, e si përfundim, nuk do të ketë asnjë problem për ta marrë fitoren. Bayern-Dortmund, do të luhet në 1 Prill në Allianz Arena, në atë që do të jetë ndeshja e parë e Thomas Tuchel në krye të skuadrës kampione të Gjermanisë.