Legjeda e Interit, Javier Zanetti flet për Lukakun: Prisnim tjetër sjellje prej tij

Sport

Ashtu si shumë të tjerë në kampin e Interit, edhe Javier Zanetti nuk e ka fshehur zhgënjimin ndaj Romelu Lukakut. Teksa klubi zikaltër bisedonte me Chelsean për të kompletuar transferimin e tij në mënyrë përfundimtare, nga ana tjetër, sulmuesi kishte nisur negociatat me Juventusin, duke e lënë të hapur mundësinë e transferimit në “Allianz Stadium”, që në fakt, vijon ende të jetë e tillë.

“Për atë çka Interi ka bërë për të, prisnim një sjellje tjetër, si në aspektin professional, po ashtu edhe atë njerëzor. Ai ka të drejtën të shkojë ku të dojë, por të paktën të kishte njoftuar në kohë. Megjithatë, askush nuk është më i madh sesa klubi. Kur fillon ndërtimin e një skuadre, duhet të kesh mirë parasysh se kush do të jetë në dhomat e zhveshjes”, ka thënë Zanetti në lidhje me këtë temë.

Më tej, kapiteni legjendar i Interit, ka komentuar edhe situatën e Lautaro Martinez, me bashkëkombasin e tij, që është përzgjedhur pikërisht kapiteni i ri i Interit. “Lautaro po ecën me hapa të sigurt, me përulje. Jam krenar me rrugëtimin e tij. Ai duhet ta tregojë lidershipin me më tepër përgjegjësi dhe të bëhet shembull për të tjerët. Të qenit kapiten, do të totë që për ty të flasin faktet në vend të komenteve të ndryshme”, ka cituar 49 vjeçari.

Sakaq, 49 vjeçari ka përshkruar në pak fjalë edhe situatën e trajnerit të skuadrës, Simone Inzaghi, duke thënë se pika më e fortë e teknikut zikaltër, është qetësia që ai i transmeton ekipit dhe se asnjëherë nuk ka dyshim në punën e tij.

Interi do e nisë sezonin e ri të Serie A, në datën 19 Gusht, ku në “San Siro” do të presë skuadrën e Monzas.