Leclerc siguron fitoren e parë sezonale për Ferrarin, ndërsa Hamilton…

Sport

Charles Leclerc arriti triumfin e parë këtë vit për skuadrën Ferrari në ‘Formula 1’. Piloti i ri shfrytëzoi më së miri ‘pole-position’-in e fituar gjatë provave zyrtare për të arritur edhe fitoren e parë në karrierë në elitën e garave me makina. Lelcerc ia doli të lërë pas vetes dy makinat Mercedes, me Hamilton që e mbylli i dyti e Bottas që plotësoi podiumin. Zhgënjeu ndërkohë piloti tjetër i Ferrarit, Sebastian Vettel, që edhe pse u nis nga linja e parë nuk ia doli të merrte një rezultat më të mirë se vendi i katërt. Max Verstappen ndërkohë do të dilte jashtë gare që në kthesat e parë, çfarë është edhe tërheqja e parë e tij nga një garë pas më shumë se një viti kalendarik. Por ‘Red Bull’ mund t’i gëzohet paraqitjes së shkëlqyer të Alexander Albon, i cili debutoi në një-vendëshen austriake. Edhe pse e nisi nga vendi i 17, Albon rikupëroi për ta mbyllur në vendin e pestë, pas Sebastian Vettel.


Sa i përket garës, Mercedes u pa të ishe me e saktë sa i përket strategjisë së zgjedhur dhe me gjasa, Leëis Hamilton do t’ja kishte dalë mbanë të parakalonte Lelcerc për vendin e parë nëse do të kishte të paktën edhe 1 xhiro më shumë. Megjithatë, piloti monegask rezistoi më së miri dhe duke shfrytëzuar dhe një kaos me flamurin e verdhë në fundin e garës, ia doli të merrte një triumf historik, të cilin ai ia dedikoi pilotin Anthoine Hubert të ‘Formula 2’, që humbi jetë gjatë garës në Belgjikë. Kështu, Hamilton thellon distancat me ndjekësit e tij në renditjen e përgjithshme, ku numëron plot 268 pikë, 65 më shumë se shoku i skuadrës, Valtteri Bottas, që ndjek nga vendi i dytë.