LeBron James është ylli i padiskutueshëm i viteve të fundit në NBA, por 33-vjeçari di se si të rrëmbejë vëmendjen edhe jashtë botës së basketbollit. Ai ka hapur një shkollë në qytetin e Akron, në Ohaio, në vendlindjen e tij, një premtim të cilin basketbollisti i ardhshëm i Lakers kishte dhënë disa vite më parë dhe që tashmë është realitet. “I promise school”, siç edhe është quajtur shkolla, do të hapë dyert e saj për 240 fëmijë të zonës, që do të ndjekin klasën e tretë dhe të katërt fillore, por objektivi është që brenda vitit 2022 ajo t’i ketë të gjitha klasat. Nxënësit e kësaj shkolle do t’i marrin uniformat falas, njësoj siç do të jetë edhe transporti. Padyshim që realizimi i kësaj shkollë ka qenë objektivi kryesor jashtë parketit i LeBron James, që tashmë është realitet.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për mua, pasi jam rritur këto dhe e di mjaft mirë atë që kanë kaluar këta fëmijë, i njoh ëndrrat e tyre, makthet e tyre. Unë shpresoj që ata të edukohen dhe të kenë një të ardhme më të mirë”, tha James, që këtë verë firmosi për Lakers. “Akron do të jetë gjithnjë shtëpia ime, ndaj premtoj se do të punoj fort për këtë shkollë, e cila do t’i ketë dyert e hapura edhe për të rriturit që nuk kanë një dëftesë të shkollës, për t’u orientuar më pas në një punë më të mirë në të ardhmen”, tha James.
Lojtari i Los Angeles Lakers nga sezoni i ardhshëm është shembulli konkret i një sportisti model, pasi ndryshe nga shumë kolegë të tij, në jetën e përditshme tregon vlera humane dhe shembullin e një babai të përkushtuar ndaj familjes.