Leao pranë rinovimit

Sport

Telenovela e rinovimit të Rafael Leaos po shkon drejt një përfundimi të lumtur. Gjatë javëve të fundit kanë vijuar “nën rrogoz” bisedimet mes drejtuesve kryesor të Milanit, Maldinit e Massarës dhe grupit që përfaqëson të drejtat e sulmuesit me origjinë nga Angola. Sipas mediave në Itali janë kryer hapa të rëndësishëm përpara. Klubi po bën maksimumin për të përmbushur dëshirat e portugezit dhe e ka dërguar në 6.5 milion euro në vit ofertën e re pa përfshirë bonuset e ndryshëm, teksa ka shprehur gatishmërinë ti shlyej lojtarit 2 milion eurot që tashmë Leao ka kaluar në arkën e Sportingut të Lisbonës. Nyja është gjithnjë e njëjta, ajo e 22 milion eurove që 23 vjecari i detyrohet Sportingut pas largimit të tij drejt Lilës në 2018-ën, largim që u konsiderua i pa rregullt nga klubi portugez dhe nga gjykata e Lozanës, për momentin futbollisti po e shlyen këtë shifër duke dorëzuar 1/5 e pagës vjetore, por nuk përjashtohet që një pjesë të konsiderueshme të gjobës prej 22 milion eurosh ta shlyejë Lila, klubi që u përfshi në vetë të parë në kalimin e Leaos nga Portugalia në Francë.

Kjo situatë bën që cështja e rinovimit të mbetet ende e hapur, por ka optimizëm duke marrë shkaks edhe nga fjalët e Leaos pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Champions Leagues ku shprehu dëshirën për të vijuar me fanellën e kampionëve të Italisë edhe përtej kontratës aktuale që përfundon në 2024-ën, teksa marrëveshja e re, nëse firmoset, do ta lidh lojtarin më të mirë të sezonit të shkuar në Serie A me fanellën e Milanit deri në vitin 2027. Nuk përjashtohet që rinovimi të vijë përpara sfidës së dyfishtë me Interin në Chamipions League dhe ti japë një dozë edhe më të lartë entuziazmi ambjentit kuqezi.