Le Monde, Platini flet për Blatter, njeriu më egoist në Botë

Sport

111

Michel Platini rikthehet të flasë për marrëdhënien e tij me Sepp Blatter, por kësaj radhe nuk rezervon aspak fjalë të mira për 81-vjeçarin. Karriera e ish-Presidentit të UEFA-s u hodh në erë pasi hulumtime të shumta nxorrën në pah një marrëdhenie ekonomike mes tij dhe Presidentit të FIFA-s Blatter. Ai qe angazhuar si këshilltar, por marrëveshja e tyre qe vetëm verbale dhe jo me shkrim, marrëveshje që e shpërblente atë me 2 milionë franga zvicerane në vit. Për këtë të dy ish-zyrtarët e lartë të futbollit botëror u dënuan me 8 vite pezullim nga komiteti i etikës në FIFA, pezullim që në dhjetor të vitit 2015-të u reduktua në 6 vite nga shkalla e Apelit. Blatter u detyrua të dorëhiqej, ndërsa Platini nuk mundi të kandidonte kështu për postin e FIFA-s. Duke folur në një intervistë për francezen Le Monde, Platini rrëfeu se 81-vjecari mendonte vetëm për “kokën e vet”. “Ai është egoisti më i madh që kam takuar ndonjëherë në jetën time. Mendonte se do plakej dhe se do të vdiste po në krye të FIFA-s. Kjo ka qenë dëshira e tij. Ka qenë i fiksuar deri në fund. Mbronte vetëm veten. Për herë të fundit e kam parë në Kasacion në gusht të vitit që shkoi. Sillej sikur të mos kishte ndodhur gjë fare, krejt natyrshëm bënte shaka” – citohet të ketë thënë për Le Monde Platini, i cili theksoi edhe njëherë se çështja e tij me Blatter është keqinterpretuar qëllimisht për ta nxjerrë jashtë karrierës si zyrtar i futbollit botëror.