Lazio, tifozët kontestojnë Biglian ndërsa skuadra vuan zënkat në grup

Sport

lazoo

Klimë e trazuar në shtëpinë e Lazios. Në grumbullimin para-sezonal në Auronzo di Cadore skuadra e Simone Inzaghit ka pasur përplasje por edhe zhgënjim total nga largimi i kapitenit Lucas Biglia. Si fillim tifozët e Lazios kanë shoqëruar me ofendime dhe kore të rënda largimin e argjentinasit me drejtim Milanin. “Kapiten i padenjë, shporru në Milano!” – ishin disa nga pankartat që mbanin në duar tifozët lacjal. 31-vjecari ka nënshkruar me kuqezinjtë për 3.5 milionë euro në sezon dhe të premten u nda përfundimisht me skuadrën e Lazios. Pas kontestimeve të tifozëve, sikurse raportojnë mediat italiane në ambientin e Lazios ka pasur një zënkë mes lojtarëve. Në përmbyllje të stërvitjes Felipe Anderson dhe holandezi Hoedt thuhet se janë grindur mes tyre. Sportmediaset raportoi se pas përplasjes, ku braziliani pësoi dhe një të carë në buzë, trajneri Simone Inzaghi kreu një mbledhje me skuadrën. Tekniku i Lazios thuhet se është shfryer me mjaft nerva ndaj sjelljes së lojtarëve. Ambienti i të kaltërve po ndjen shumë trysni kjo për faktin se tifozët kanë kohë që kontestojnë mungesën e afrimeve të lojtarëve të rinj dhe nga ana tjetër largimin e elementëve si Biglia. I vetmi transferim që ka bërë Lazio deri më tani është Adam Marusic, i ardhur nga Oostende për 6.5 milionë euro.