Lazio ka gati rinovmin, Maurizio Sarri i vendos kushte klubit

Sport

Maurizio Sarri vendos kushte për të qendruar tek Lazio. Ndonëse ka një kontratë deri në verën e 2023-shit, janë të shumtë zërat që vijnë nga përtej Adriatikut se trajneri 63 vjeçar do largohet nga drejtimi i skuadrës kryeqytetase.

Vetë presidenti i klubit, Claudio Lotito, ka dhënë dritën jeshile që Sarri të vazhdojë të udhëheq ekipin për edicionin e ardhshëm. Madje jo vetëm kaq, por Lazio ka gati edhe një rinovim të kontratës për teknikun në fjalë deri në vitin 2025. Megjithatë, ish-timonieri i Juventusit kërkon t’i plotësohet një kusht i rëndësishëm për të vazhduar aventurën me të kaltërit.

Napoletani kërkon investime në merkato. Një element i tillë konsiderohet thelbësor që tekniku të bindet për të hedhur të zezën mbi të bardhë. Trajneri është i mendimit se klubi nuk mund të kërkojë rezultate, nëse nuk shpenzon në tregun e futbollistëve, në mënyrë që të rrisë cilësinë e grupit.

Teksa mbetet për t’u parë në vazhdimësi sesi do të pritet kriteri i trajnerit në radhët e drejtuesve të klubit, Lazio, në sezonin e parë e drejtuar nga Sarri, aktualisht renditet në vendin e 5 të tabelës, kur kur kanë mbetur edhe dy javë deri në mbyllje. Ky është një klasifikim që i siguron skuadrës një vend në Europa League për sezonin e ardhshëm futbollistik.