Prej shumëkujt, Lautaro Martinez konsiderohet si simboli i ardhshëm i Interit, e në veçanti nga vetë klubi zikaltër, që i ka bërë lojtarit një ofertë zyrtare për të rinovuar kontratën. Bëhet fjalë për një kontratë deri në vitin 2028-të, teksa ajo aktuale përfundon në verën e 2026-tës.
Në këtë propozim të ri, në brendësi do të ketë edhe një përmirësim të ndjeshëm të termave financiarë. Mediat përtej detit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, por megjithë bonuset, do të shkojë në 8 milionë euro në sezon.
Këtë sezon futbollistik, Lautaro është emëruar edhe kapiten i Interit dhe në fakt, deri më tani, ai e ka treguar se është një shëmbull për t’u ndjekur, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Herë pas here, sulmuesi i qendrës është shprehur se dëshira e tij është të luajë vetëm për Interin, kështu që kjo është edhe arsyeja kryesore që klubi nuk ka pritur gjatë, por i ka bërë menjëherë një ofertë të re. Nënkampionët e Europës synojnë që kjo çështje të kompletohet përpara fundit të vitit 2023.
Pavarësisht një gjendjeje jo të mirë financiare, Interi nuk është kursyer në ofertën e Lautaros, sepse e konsideron atë në ajkën e më të mirëve të botës dhe që shpeshherë ka treguar një besnikëri ndaj klubit. Më tepër se kaq, 26 vjeçari është shtylla kryesore e projektit të 19 herë kampionëve të Italisë. Thënë këtë, nga Lautaro pritet vetëm një përgjigje pozitive, që ai të pranojë ofertën e Interit dhe zyrtarizimi i rinovimit të vijë sa më shpejtë.
Krerët më të lartë të klubit, përfshirë këtu edhe Drejtorin e Përgjithshëm, Beppe Marotta, kanë shumë besim se Lautaro do të rinovojë dhe nuk do të veprojë ashtu sikurse ish-shokët e tij të skuadrës, Milan Skriniar, apo edhe Romelu Lukaku, të cilët pavarësisht se herë pas here ishin shprehur se dëshironin të qëndronin në “San Siro”, në fund, bënë veprimin e kundërt.
Sa i përket këtij sezoni futbollistik, Lautaro e ka treguar se ai është një kapiten i vërtetë, teksa ka marrë përsipër udhëheqjen e skuadrës së Simone Inzaghit drejt fitoreve. Në 10 ndeshje të luajtura mes Champions League dhe Serie A, argjentinasi ka shënuar 11 gola dhe ka shërbyer 2 asiste për shokët e skuadrës.