Lautaro Martinez jashtë forme dhe në krizë golash me Interin. Këtë edicion, në 6 ndeshje, El Toro, nuk e ka tundur rrjetën asnjëherë. Madje, duke marrë në llogari edhe sezonin e kaluar, në 19 ndeshjet e fundit, 27 vjeçari ka shënuar vetëm një gol me ngjyrat zikaltër.
Nëse bëjmë një krahasim me një vit më parë, në të njëtjën periudhë, në 6 ndeshjet e para zyrtare, mes Serie A dhe Champions League, Lautaro kishte shënuar 6 gola. Gjithësesi, kjo thatësirë e sulmuesit, nuk ka sjellë asnjë shqetësim në kampin zikaltër, sepse të gjithë janë të bindur se shumë shpejt, Lautaro do t’i kthehet ritmit normal të shënimit të golave. Arsyeja e vërtetë e formës së dobët të Lautaros, lidhet me gjendjen e tij të ngarkuar fizike.
Përgjatë javëve të para të këtij sezoni, dallohet qartë që sulmuesi argjentinas nuk është në të njëjtat parametra fizikë si shokët e tjerë të skuadrës, por kjo shpjegohet me faktin se kapiteni, ishte i fundit që u bashkua me skuadrën përgjatë fazës përgatitore, për shkak të angazhimit që pati edhe në nivel ndërkombëtar, me përfaqësuesen e Argjentinës, me të cilën fitoi edhe Copa America, madje si protagonist në finale, duke shënuar golin e fitores.