Lautaro Martinez, Fabio Capello këshillon sulmesin e Interit

Sport

Megjithëse ende nuk jemi në merkaton e verës, Lautaro Martinez është një prej lojtarëve që gjithmonë e më shumë shihet larg Interit për sezonin tjetër. Argjentinasi kërkohet me ngulm nga Barcelona. Katalanasit, e shohin këtë lojtar si zëvendësuesin ideal të Luis Suarez, i cili tashmë është në moshën 33 vjeçare, ndërsa nuk premton edhe shumë gjatë në nivele të larta. Performancat e Lautaros këtë edicion me Interin, kanë bindur gjithnjë e më tepër spanjollët që të rendin pas tij. Një transferim i 22 vjeçarit në Camp Nou, mund të shihej si një hap para në karrierë për të, mirëpo nuk është i këtij mendimi Fabio Capello. Tekniku Italian mendon se një kalim i Lautaros në Barcelonë, do të jetë dështim, sepse atje nuk do ketë mundësi të luajë, ndërsa do të jetë një rezervë në pankinë. Sipas Capellos, mundësia më e mirë për Lautaron është të mos largohet nga Interi, pasi aty jo vetëm që ka fituar dashurinë e tifozëve, por është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm nën drejtimin e Antonio Contes. Ky është sezoni i dytë i Martinez tek Interi, ndërsa paraqitet e tij kanë qenë me të vërtetë impresionuese, pasi ka shënuar 16 gola në 31 paraqitje me 18 herë kampionët e Italisë. Klauzola e largimit të tij është 111 milionë euro, ndërsa prej kohësh drejtuesit e kubit zikaltër kanë menduar për një rinovim të kontratës, por që deri më tani nuk ka ardhur. Kjo ka bërë që Barcelona të besojë në transferimin e këtij lojtari. Në merkaton e verës pritet të mësojmë më shumë rreth ngjarjeve që do të pasojnë këtë temë.