Lautaro Martinez dhe e ardhmja, Interi i përgjigjet Barcelonës

Sport

Prej ditësh mediat spanjolle kanë raportuar se Barcelona ka arritur një marrëveshje me sulmuesin Lautaro Martinez, ndërsa hapi i fundit ishte vetëm të arrihej edhe akordi me Interin, në mënyrë që të mbyllej transferimi i tij në Camp Nou. Këtyre të dhënave, menjëherë iu është përgjigjur presidenti i Interit, Steven Zhang, i cili ka thënë se klubi nuk do e shesë lojtarin tek Barcelona. Kjo, pasi argjentinasi shihet si pjesë e projektit që Interi ka nisur me Antonio Conten. Më tej, edhe dëshira e Lautaros është të mos largohet nga 18 herë kampionët e Italisë, por të ndërtojë karrierën e tij me fanellën zikaltër. Kjo është një përgjigje e qartë për Barcelonën, që tashmë duhet t’i drejtojë prozhektorët nga ndonjë tjetër sulmues. Drejtuesit e klubit katalanas duan me patjetër që në verë të afrojnë një numër 9-të të një niveli të lartë, që shihet edhe si pasardhësi i Luis Suarez. Merkatoja e verës duket ende larg, por s’ka dyshim që duelet jashtë fushe mes klubeve do të jenë tejet interesante.