Lautaro flet si kapiten: Dua titullin kampion, Lukaku s’më është përgjigjur në telefon

Sport

I emëruar zyrtarisht kapiten i Interit, Lautaro Martinez ka folur për herë të parë si komandant i skuadrës. Pasi e ka provuar një herë shijen e titullit kampion, argjentinasi kërkon ta përjetojë sërish një sukses të tillë, teksa këtë herë do të ketë mundësinë që ta ngrejë vetë në qiell titullin më të rëndësishëm të futbollit italian.

“Që prej momentit kur jam bërë kapiten, dëshira ime është të fitoj titullin kampion, që nga sezoni që vjen. Ky nuk është vetëm synimi im, por i të gjithë shokëve të ekipit”, ka nënvizuar sulmuesi, i cili, vetëm pak ditë më parë, refuzoi një ofertë tunduese nga Lindja e Mesme, atje ku gjatë kësaj vere, janë transferuar mjaft futbollistë me emër.

“Ofertat kanë ardhur, por nuk jam lëkundur aspak. Jam i lumtur tek Interi dhe në qytetin e Milanos. Kjo është shtëpia ime e dytë. Nuk kam asnjë arsye të largohem”, janë fjalët e 25 vjeçarit.

Më tej, një nga temat më të diskutuara në ditët e fundit në kampin interist, padyshim që është situata e Romelu Lukakut, për të cilin, klubi zikaltër, përpiqej të negocionte me Chelsean për të kryer transferimin përfundimtar, kurse nga ana tjetër, vetë belgu kishte zhvilluar bisedime në prapaskenë me Juventusin.

Në lidhje me këtë temë, Lautaro nuk e ka fshehur zhgënjimin ndaj ish-shokut të skuadrës, me të cilin ka festuar shumë gola në fushën e blertë.

“E vërteta është se jam i zhgënjyer. Përgjatë ditëve të kaosit, jam përpjekur ta telefonoj, por ai nuk mu përgjigj, ashtu sikurse nuk iu përgjigj as shokëve të tjerë të skuadrës”, ka thënë Lautaro.

Sa i përket sesonit të ri, kapiteni i Interit ka thënë se ekipi zikaltër duhet të nisë gjithçka nga ajo finale e humbur në Stamboll ndaj Manchester Cityt në Champions League. Pavarësisht disfatës, sulmuesi ka thënë se skuadra ka fituar më tepër siguri në vetvete, duke përmirësuar gjithashtu edhe imazhin në sytë e publikut.