Latifi, futbollist ‘non grata’ për trajnerin e Pushkas Akademi

Sport

latifi
Aventura hungareze për Liridon Latifin duket se do të marrë fund gjatë kësaj vere. Skuadra e Pushkash Akademi, ku ai u transferua vitin e kaluar, duhet të ishte një lloj trampoline për kosovarin e Kombëtares shqiptare. Mirëpo, ja që trajneri I ekipit hungarez e ka nxjerrë jashtë planeve të tij për të ardhmen. Madje, tekniku Pinter ka shkuar deri aty, sa që i ka lëshuar një ultimatum klubit: “O unë, o Latifi në skuadër!”.  Shkaku i kësaj situate të krijuar e ka zanafillën nga një ndeshje e kampionatit e luajtur përpara më shumë se 2 javësh. Atëherë kur Pushkash Akademi luante kundër Honvedit, një rival direkt për zonën e Kupave të Evropës. Këtë takim, Latifi e nisi nga stoli, për t’u aktivizuar si zëvendësues në minutën e 57-të.

latifi12

Mirëpo sapo hyri në fushë, nisi të marrë vazhdimisht qortimet e trajnerit. Ndonëse fatal rezultoi sidomos një episod i ndodhur 3 minuta nga fundi. Në atë moment, lojtari shqiptar u mundua të driblonte një kundërshtar para zonës së tij, por e humbi kontrollin e topit duke sjellë si rrjedhojë golin e barazimit të Honvedit. Kaq mjaftoi që trajneri i Pushkash Akademi të fillonte të shihte me sy aspak të mirë Latifin, aq sa e ktheu në një futbollist të padëshiruar. Jo më kot, prej atij takimi, futbollisiti i Kombëtares shqiptare nuk është grumbulluar më nga Pinder. Gjë që tregon qartë se duke nisur prej sezonit të ardhshëm, lojtari duhet të kërkojë një tjetër skuadër. Deri tani, Latifi është aktivizuar në 11 ndeshje kampionati dhe 2 herë në Kupë, aty ku ka arritur të shënojë edhe një gol.