Teksa aventura e Cristiano Ronaldos në “Old Trafford” mund të konsiderohet e mbyllur, me portugezin që pritet të largohet në janar, Manchester United është vënë menjëherë në lëvizje. Sikurse raportojnë mediat britanike, 20 herë kampionët e Anglisë kanë piketuar Kylian Mbappe, të cilin duan ta bëjnë pjesë të skuadrës së tyre që në afatin kalimtar të dimrit.
Për ta bërë realitet një gjë të tillë, United ka gati një ofertë prej 170 mln eurosh në drejtim të PSG-së, në mënyrë që kampioni i botës të zbarkojë në anën e kuqe të Manchesterit. Ndërkohë, Mbappe, ka një kontratë me Parisin që i përfundon në verën e 2025-tës, të cilën e rinovoi në majin e këtij viti.
Në kushte si këto, mund të duket shumë e vështirë që Mbappe të largohet nga qyteti i tij i lindjes në mes të sezonit. Mirëpo, United ka gati një tjetër alternativë. Ai quhet Victor Osimhen. Sulmuesi i Napolit, prej kohësh nën radarët e peshave të rënda të kontinentit, e ka nisur këtë sezon në një mënyrë të përkryer.
10 gola dhe 3 asisist mes Champions League dhe Serie A, e kanë kthyer yllin e skuadrës së Luçiano Spalletit në një lojtar kyç. 23 vjeçari u komentua për një kalim të mundshëm në “Old Trafford” edhe në afatin kalimtar të verës që lamë pas, por diçka e tillë nuk ndodhi. Gjithçka do të qartësohet më tepër në merkaton e dimrit.