Me Jordan Henderson që u transferua në Arabinë Saudite, Liverpool nuk ka humbur kohë, por ka zgjedhur menjëherë kapitenin e ri të skuadrës. Të drejtën për ta bërë diçka të tillë, e kishte Jurgen Klopp dhe trajneri gjerman ka vendosur që kapiteni i ri Liverpool do të jetë Virgil Van Dijk, i cili është gjithashtu edhe kapiten i përfaqësueses hollandeze.
Mbrojtësi i qendrës, pjesë e The Reds që prej 2018-tës, që prej kohës kur është transferuar në Anfield, për më tepër se 80 milionë euro, ka qenë padyshim një prej udhëheqësve të Liverpool në fushën e lojës.
Performancat në nivel gati-gati të pakonkurueshëm, e po ashtu, aftësia për të orientuar lojën ekipore, janë konsideruar elementë kyç që tekniku Klopp të mos kishte dyshime në zgjedhjen e tij.
Në këtë mënyrë, Van Dijk është bërë kapiteni i parë mbrojtës i Liverpool që prej vitit 2003, atëherë kur shiritin në krah e mbante Sami Hyypia.
“Kjo është një ditë mjaft e veçantë për mua. Ndihem krenar, por nuk mund ta them dot me fjalë të gjithë atë që kam përbrenda. Do të bëj gjithçka të mundur që gjithkush në këtë klub futbolli, të jetë krenar dhe i lumtur me mua”, ka deklaruar tulipani.
Që prej 2018-tës kur është bërë pjesë e Liverpool, Van Dijk ka luajtur 222 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Gjatë kësaj kohe, ai ka fituar të gjithë titujt e mundshëm me të kuqtë, përfshirë këtu një Champions League dhe një kampionat.
Sakaq, Jurgen Klopp ka vendosur gjithashtu, se Trent Alexander Arnold do të jetë kapiteni i dytë i skuadrës. Në mungesë të Van Dijk, atëherë mbrojtësi i djathtë do të mbajë shiritin në krah.