Lampard përgëzon skuadrën për lojën dhe mbron Abraham për penalltinë e humbur

Sport

Chelsea u dorëzua përballë Liverpoolit vetëm tek goditjet e penalltive. ‘Blutë’ e Londrës bënë një lojë mjaft të mirë, duke shuar në një farë mënyrë edhe kritikat pas humbjes 4-0 me Manchester United vetëm pak ditë më parë. Frank Lampard tha pas finales së ‘Superkupës së Europës’ se ndihej mjaft krenar për skuadrën e tij, pasi të gjithë bënë një lojë të mirë dhe patën grintën për të luftuar deri në fund. Trajneri i Chelseat e vlerësoi sfidën me Liverpoolin si mjaft të ashpër dhe plot intensitet, por dëshira e lojtarëve të tij për të bërë mirë, i jep shpresë Lampard për sezonin e gjatë që i pret përpara.

Një pikë e rëndësishme ku Lampard u ndal në deklaratat e tij pas ndeshjes ishte edhe penalltia e humbur nga sulmuesi i ri, Tammy Abraham. Lampard tha se Abraham duhet të qëndrojë me kokën lart, pasi bëri një paraqitje të mirë dhe në nivele kaq të larta, gjëra të tilla ndodhin. Numri 1 i stolit të Chelseat tha se ishte vetë Abraham që kërkoi të godiste penalltinë e pestë, por gjithçka që ndodhi do të shërbejë për rritjen e të gjithë lojtarëvë të rinj të skuadrës, të cilët duhet të fitojnë eksperiencën e duhur për të bërë mirë në nivele të tilla.


Liverpooli vinte me një mungesë mjaft të rëndësishme në këtë sfidë, pas dëmtimit të portierit Alisson Becker. Mirëpo, Adrian, i transferuar këtë verë si zëvendësues i brazilianit, arriti të bëjë një paraqitje të mirë dhe të presë penalltinë që i dha trofeun skuadrës së Jurgen Klopp.