Lampard lavdëron Pulisic, thotë se mund të luajë edhe në sulm

Sport

Frank Lampard mori një humbje të papritur përballë W est Ham, që fituan minimalisht ndaj Chelseat në atë që konsiderohet si një nga derbit më interesant të Londrës. Tekniku 41-vjeçar u shpreh se ekipi i tij mund të kishte arritur një rezultat pozitiv nëse do të kishin pak më shumë fat në rastet e krijuara në zonën e West Ham. Gjithsesi, Lampard nuk shqetësohet për skuadrën, pasi sipas tij, paraqitja e lojtarëve në fushë ishte në nivel të kënaqshëm. Ai u ndal edhe tek Christian Pulisic, që pas një nisjeje të vështirë të sezonit, duket se ka gjetur rrugën e duhur për t’u kthyer në liderin e ri të ‘bluve’ të Londrës. Sipas Lampard, Pulisic i ka të gjitha aftësitë për të arritur në nivelin më të lartë dhe ndeshje pas ndeshje ka treguar se mund të jetë një element kyç në ecurinë e Chelsea-t jo vetëm në këtë sezon, por edhe në të ardhmen.

Përballë West Ham, Chelsea dështoi për herë të parë në këtë sezon të ‘Premier League’ të shënonte minimalisht një gol. Në mungesë të Tammy Abraham, që mori një dëmtim në sfidën ndaj Valencias në ‘Champions’, ‘blutë’ e nisnin me Giroud. Por gjatë lojës, Lampard zëvendësoi francezin me Hudson-Odoi, duke spostuar Pulisic në sulm. Tekniku u shpreh se bëri këtë lëvizje duke u bazuar në ato që ai ka parë në stërvitje tek Pulisic. Sipas trajnerit të Chelsea-t, amerikani i ka të gjitha cilësitë për të luajtur në majën e sulmit. Fakti që ka shpejtësinë dhe teknikën si pikat e tij më të forta, mund ta ndihmojë të lëvizë pas shpinës së mbrojtjes më shpejt se të tjerët, çfarë sigurisht do të favorizonte dhe lojën e shokëve të tij të skuadrës që kanë karakteristika të ngjashme, si Hudson-Odoi apo Mason Mount.