Los Angeles Lakers janë rikthyer më në fund tek fitorja pas plot 5 humbjesh radhazi, teksa mundën 124-107 në transfertë, skuadrën e Chicago Bulls. LeBron James ishte më i miri në parket me 36 pikë, 4 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Kontribut të vyer për Lakers dhanë edhe Caldwell-Pope e Kyle Kuzma, që shënuan respektivisht nga 24 dhe 21 pikë. Kjo fitore mban gjallë shpresat e skuadrës kaliforniane për të shpresuar kualifikimin për në fazën ‘play-off’, që gjithësesi mbetet një mision shumë i vështirë për t’u arritur. Nga ana tjetër, në ‘Konferencën e Lindjes’ janë njohur më dy skuadrat që kanë siguruar që tani prezencën në fazën finale të sezonit.
Toronto Raptors dhe Milwaukee Bucks do të jenë edhe këtë vit pjesë e fazës ‘play-off’, me Bucks që mposhtën në transfertë skuadrën e New Orleans Pelicans me rezultatin 130-113. Giannis Antetokounmpo ishte sërish vendimtar për Milwaukee-n, duke qenë shënuesi më i mirë i ndeshjes me 24 pikë, por ndihmoi skuadrën e tij edhe me 5 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. San Antonio Spurs ndërkohë vijojnë formën e tyre të mirë, teksa siguruan fitoren e gjashtë radhazi në derbin teksan me Dallas Mavericks. Spursat fituan me një rezultat të ngushtë 105-112, ku iu falën paraqitjes së jashtëzakonshme të treshes DeRozan-Aldridge-White, që së bashku realizuan plot 84 pikë.