Lakers kalojnë Cleveland falë LeBron; triumfojnë edhe Brooklyn, Denver e Golden State

Sport

Los Angeles Lakes vijojnë ecurinë pozitive në këtë sezon, teksa morën fitoren e 14 në përballjen me Cleveland Cavaliers. Të udhëhequr nga një super LeBron James, kalifornianët mposhtën 115-108 Cavaliers, me këta të fundit që kanë shfaqur një formë të mirë deri në këtë pikë të sezonit. LeBron realizoi plot 46 pikë, ku ishte i saktë në plot 7 gjuajte për 3 pikë, nga 11 tentativa në total. Anthony Davis ndërkohë e mbylli me 17 pikë dhe 10 ribaunde, ndërsa tek Cleveland shkëlqeu sërish Andre Drummond, me 25 pikë dhe 17 rikuperime të topit nën tabelë.

Në ‘Konferencën e Lindjes’, Brooklyn Nets mposhtën për të dytën herë Miami Heat, kësaj radhe me rezultatin 98-85. Bam Adebayo e mbylli si shënuesi më i mirë i takimit me 26 pikë, por ishte i rëndësishëm për Miamin edhe me 10 ribaunde. Ndërsa tek Brooklyn, James Harden dhe Kevin Durant realizuan nga 20 pikë secili, kurse Irving u kënaq me vetëm 16 pikë. Perioda e katërt e lojës ishte ajo që bëri diferencën në fatin e kësaj sfide. Brooklyn e fitoi me rezultatin e pjesshëm 28-14, çfarë ishte e mjaftueshme për të përmbysur avantazhin e Miamit.

Përballje interesante ishte ajo mes Dallas Mavericks dhe Denver Nuggets, që pa të viheshin sërish përballë njëri-tjetrit Luka Doncic dhe Nikola Jokic. Në fund, triumfues do të ishte shtatlarti serb i Denver, pasi skuadra e tij triumfoi me rezultatin 117-113, por në aspektin personal, ishte Doncic ai që ra më shumë në sy. Lideri i Dallas Mavericks kompletoi një tjetër ‘triple-double’, me 35 pikë, 16 asiste dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë, teksa për Nuggets, shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Michael Porter Jr. me 30 pikë.

Golden State Warriors nuk e patën shumë të vështirë ndaj Minnesota Timberwolves, duke i kaluar 130-108, të udhëhequr edhe njëherë tjetër nga Step Curry, i cili realizoi 36 pikë. Boston mori një fitore të rëndësishme përballë Chicago Bulls, me rezultatin 119-103, ndërsa befasuan tek Philadelphia 76ers, që u mposhtën 119-104, nga skuadra me formën më të dobët në NBA për momentin, Detroit Pistons.