Lajme pozitive për Juventusin, dy lojtarë drejt rikthimit në fushë

Sport

Lajme pozitive nga infermieria e Juventusit. Bardhezinjtë po kalojnë një moment shumë të komplikuar këtë sezon, por së shpejti, trajneri Massimiliano Allegri tashmë do ketë mundësi të përfshijë në formacion dy lojtarë të tjerë, ndaj të cilëve ka shumë pritshmëri të larta.

Fjala është për Federico Chiesa dhe Paul Pogba. Të dy futbollistët në fjalë, vuajnë nga problemet në gju. Sidoqoftë, çdo gjë i përket të shkuarës dhe italiani, së bashku me francezin, së shpejti mund të jenë sërish në fushën e lojës, ndonëse koha mbetet e papërcaktuar.

Ka një mendim që Chiesa mund të rikthehet në janar të vitit tjetër. Mirëpo nuk mungojnë aludimet se anësori i sulmit do jetë i gatshëm për Juventusin brenda këtij viti, teksa mund të nisë stërvitjet me pjeën tjetër të ekipit. Gjithësesi, një gjë e tillë, mbetet për t’u parë, sepse mjekët e Zonjës së Vjetër nuk duan të nxitohen. Ata kërkojnë që lojtari të marrë kohën e duhur në dispozicion për t’u rikuperuar plotësisht.

Ndërkohë, ka më tepër optimizëm rreth Paul Pogba. Që pas operacionit të kryer në fillim të këtij muaji, kampioni i botës ka ecur mjaft mirë me procesin e rikuerimit dhe shumë shpejt mund të bashkohet dhe të fillojë stërvitjet me grupin.

Madje, mesfushori mund të jetë i gatshëm brenda muajit tetor për Juvventusin, për ndeshjen e kthimit ndaj Benficas në datën 25. Nëse të besuarit e Allegrit, arrijnë të marrin maksimumin e pikëve në ndeshjet ndaj Macabi Haifa, atëherë përballja me Benfican do kthehet në një ndeshje vendimtare sa i përket çështjes së kualifikimit përtej fazës së grupeve.