Lajme jo të mira nga skuadra e Juventusit…

Sport

Lajme aspak të mira për Juventusin vetëm një ditë përpara ndeshjes së Champions League ndaj Villarrealit, e vlefshme për raundin e 1/8-tave. Për bardhezinjtë janë dëmtuar dy lojtarë mjaft të rëndësishëm, sikurse janë Paulo Dybala dhe Daniele Rugani.

Me anë të një postimi në kanalin zyrtar, Juventusi njofton se fantazisti argjentinas, po ashtu edhe mbrojtësi italian, kanë pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë. Për një problem të tillë, të dy lojtarët në fjalë, duhet të pushojnë të paktën 10 ditë dhe në krye të këtij afati kohor, do të kryejnë të tjera teste, për të mësuar kësisoj edhe gjendjen e futbollistëve, nëse do jenë të gatshëm për t’u rikthyer në fushë, apo do marrin ende kohë në dispozicion për t’u rikuperuar plotësisht.

Në këtë mënyrë, si Dybala, po ashtu edhe Rugani nuk do jenë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri për transfertën e të martës mbrëma ndaj Villarrealit në Champions League. Ky 90 minutësh në tokën spanjolle, konsiderohet shumë thelbësor për të dyja skuadrat, pasi mund të rezultojë mjaft vendimtar për kualifikimin në çerekfinale.

Nga ana tjetër, edhe Villarreal do të ketë një mungesë tepër të rëndësishme për dualin ndaj bardhezinjve dhe ai është sulmuesi Gerard Moreno. Spanjolli vuan nga një dëmtim në pulpë, e si pasojë nuk është në dispozicion të trajnerit Unai Emery.