Lajme aspak të mira për Juventusin, dy lojtarë dëmtohen në stërvitje

Sport

Lajme aspak të mira për Juventusin pak ditë përpara nisjes së javës së 5-të të kampionatit ndaj Sassuolos. Alex Sandro dhe Adrien Rabiot kanë shfaqur probleme fizike. Sikurse raportojnë mediat italiane, si mbrojtësi ashtu edhe mesfushori, janë detyruar të braktisin përpara kohe stërvitjen.

Alex Sandro është larguar duke çaluar, ndërsa Rabiot, ka marrë një goditje në kavilje si pasojë e përplasjes me një prej shokëve të skuadrës, konkretisht me Bremer. Nga informacionet e para, më shqetësuese duket situata e futbollistit francez, sepse lëndimi është dukur serioz dhe që mund t’i kushtojë 28 vjeçarit ndonjë ndalesë të konsiderueshme.

Nëse kësaj situate, i shtojmë këtu edhe problemet fizike në gju të Weston McKennie, apo edhe mungesat në stërvitje të Dusan Vlahoviç, bashkë me Federico Chiesa, atëherë është e lehtë të kuptohet se trajneri Massimiliano Allegri mund ta shohë veten në telashe.

Chiesa dhe Vlahoviç, pas ndeshjes së shkëlqyer ndaj Lazios në kampionat, nuk janë stërvitur me grupin, por kanë kryer përgatitje individuale, disi më të lehta. Megjithatë, të dy lojtarët e sulmit, pritet të bashkohen me grupin në një moment të dytë.