Lajme aspak të mira për Interin, dëmtohet mbrojtësi Alessandro Bastoni

Sport

Lajme aspak të mira vijnë për Interin nga përfaqësuesja italiane. Alessandro Bastoni është dëmtuar gjatë seancës stërvitore, aqsa nuk ka mundur të vazhdojë dot më. Sikurse bëjnë me  dije mediat përtej detit, mbrojtësi i qendrës ka pësuar një tërheqje muskulore në pulpën e djathtë.

Ndeshja e radhës e Italisë do të jetë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe shtatlarti i prapavijës e ka thuajse të pamundur që të luajë. Në një situatë të tillë, në vend të Bastonit, pritet që trajneri i përfaqësueses së kaltër të aktivizojë mbrojtësin e Juventusit, Ruganin, që përgjatë këtij sezoni ka zhvilluar performanca pozitive me Zonjën e Vjetër.

Në rrethana si këto, dëmtimi i Bastonit, automatikisht shërben si një kambanë alarmi në kampin e Interit. 24 vjeçari është një titullar absolut në formacionin e Simone Inzaghit, e aq më tepër që ndeshja e radhës në calendar për Interin është ndaj Juventusit në Torino, sfidë që parashikohet të ketë një rëndësi të veçantë për mënyrën sesi po rrjedhin ngjarjet në Serie A. Një fitore e Interit, do ta shkëpuste ekipin zikaltër plot 5 pikë në vendin e parë dhe do të krijonte kësisoj një avantazh të konsiderueshëm me ndjekësin më të afërt, që është pikërisht Juventusi.

Më tej, pauza e kombëtareve ka sjellë një tjetër lajm jo pozitiv për Interin. Nga grumbullimi me përfaqësuesen turke, Hakan Çalhanoglu ka pësuar një infeksion në rrugët e frymëmarrjes, çka do të thotë se nuk është stërvitur në seancën e fundit me shokët e tjerë të skuadrës. Megjithatë, problemi i turkut është më i butë, çka do të thotë se ai pritet të jetë gati për Interin në momentin kur do të rikthehet futbolli i klubeve.