Një lajm i mirë vjen në këtë situatë emergjence prej Coronavirusit. Trajneri i Flamengos, Horhe Hesus doli me rezultat negativ për koronavirus. Skuadra braziliane kishte njoftuar javën e kaluar se Hezus testoi pozitiv për “COVID-19”, megjithëse situata po mbahej nën kontroll. Por ja që mësohet se menaxheri 65-vjeçar portugez, i cili ka drejtuar edhe Sportingun dhe Benfikën, ëshjtë shëruar nga virusi të mërkurën në mes të pandemisë që ka marrë pothuajse 9000 jetë deri tani. Këtë e ka bërë me dije vetë Flamengo, përmes një komunikate ku ka informuar “mbi testin e ri të realizuar nga trajneri Horhe Hesus, i cili u konfirmua negativ për ‘COVID-19’. Klubi është mirënjohës për mbështetjen e të gjithë tifozët për trajnerin në ditët e fundit”, thuhej në njoftimin e klubit në Tuiter.
Ndërkohë, Coronavirusi ka bërë që pothuajse të gjithë kompeticionet sportive të shtyhen. Pas pezullimit të Champions dhe Europa League, pa harruar shtyrjen e Evropianit nga UEFA, tashmë është marrë vendimi që të shtyhet edhe Copa Libertadores. Këtë e ka konfirmuar Konfederata e Amerikës së Jugut nëpërmjet një komunikate zyrtare. “Conmebol është i angazhuar për të parandaluar COVID-19, tashmë në rrezik zgjerimi, dhe në mbrojtjen e lojtarëve, stafeve teknike, delegatëve, gjyqtarëve, zyrtarëve, shtypit dhe tifozëve. Prandaj mori vendimin për pezullimin e ndeshjeve të planifikuara më parë, fillimisht deri më 5 maj 2020. Ne kërkojmë nga klubet të bëjnë kujdesin e duhur për të shmangur përhapjen e virusit dhe të zbatojnë protokollet e parandalimit të sugjeruar nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim. Kujtojmë që të martën, Conmebol kishte vendosur të shtynte për vitin tjetër edhe Copa Amerika, që duhet të zhvillohej këtë verë.